Futboll

Celina, heroi i AIK-ut: Kurrë nuk kam qenë më në formë

Bersant Celina

Gjashtë ndeshje, dy gola, dy asistime në elitën e futbollit suedez. Bersant Celina që aktivizohet tek AIK-u suedez, ka thënë se në formën më të mirë.

“Asnjëherë nuk kam qenë lojtar më i mirë sesa që jam tani”, ka deklaruar Celina të shtunën për mediumin suedez “FotbollDirekt”.

28-vjeçari Celina, që ka 35 paraqitje me Kosovën e një gol të shënuar, të shtunën nga ora 14:00 do të luajë me AIK-un në udhëtim te Djurgardeni.

Ndeshja i takon xhiros së shtatë dhe vlerësohet shumë e fortë.

AIK-u ka 16 pikë në gjashtë ndeshje, ndërsa Djurgardeni ka mbetur me shtatë pikë por me një ndeshje më pak të luajtur.

“Ndeshjet si kjo janë si finale. Asnjëherë nuk e di se kush është favoriti, por kemi bërë ndeshje të mira ndaj tyre dhe natyrisht duam që t’i përsërisim. Do të japim më të mirën”, ka thënë Celina, mesfushori me tipare sulmuese.

Gjatë kësaj jave, Celina është dashur ta ndalë stërvitjen në gjysmë për shkak të telasheve muskulore. Por ai thotë se tani është mirë dhe i gatshëm për lojë.

Në edicionin e kaluar, Celina kishte katër gola e tri asistime në 30 paraqitje në “Allsvenskan” për AIK-un. Këtë sezon, forma e tij është dukshëm më e mirë.

“Jam në formë shumë të mirë. Jam në moshën ku këtë vit, vitin tjetër dhe ndoshta edhe pas dy vitesh, do të jenë më të mirët. Nuk kam qenë kurrë futbollist më i mirë sesa që jam tani. Ka të bëj me punën që e kam bërë përgjatë këtyre viteve dhe eksperiencën që e kam fituar si futbollist. Nuk mund të them se ky është maksimumi sepse padyshim se mund të bëhem edhe më i mirë”, është shprehur Celina, që vlerësohet në Suedi si hero i derbive.

28-vjeçari i ka zhvilluar tri derbi në “Allsvenskan” ndaj Djurgardenit. Ai i ka shënuar dy gola dhe një asistim.

“Jam lojtar i mirë në derbi ndoshta për arsye të atmosferës dhe mënyrës se si ndihem.Jam lojtar që i pëlqej ndeshjet e mëdha dhe presioni më bën vetëm më të mirë. Të dielën do të kënaqemi. Të gjithë mezi po e presin ndeshjen dhe nuk ka moment më të mirë për ta luajtur këtë ndeshje ndaj Djurgardenit”, ka theksuar Celina.

Celina ka qenë futbollist i Akademisë së Manchester Cityt. Ai karrierë ka bërë edhe te Ipswichi, Swansea, Dijoni, Kasimpasha e Stoke City.