Kalimi i Granit Xhakës nga Bayer Leverkuseni te Sunderlandi mund të shndërrohet në kryevepër.
Kështu ka shkruar redaktori i futbollit në gazetën e madhe zvicerane, “Blick”, Tobias Wedermann.
Sunderlandi është kthyer në Premier League, ndërsa Xhaka do ta udhëheqë në misionin për të mbetur në elitën angleze.
“Jo Arabia Saudite, jo Turqia – Granit Xhaka zgjodhi atë që mund të jetë aventura e tij e fundit e madhe në skenën më të madhe të futbollit. Në vend që të zhduket nga radari i futbollit për një pagë të madhe ai po shkon në Premier League. Liga më e mirë dhe më e fortë në botë. Një vend ku kapiteni i Zvicrës nuk është vlerësuar gjithmonë gjatë kohës së tij në Arsenal dhe ku ndonjëherë është trajtuar edhe padrejtësisht”, ka shkruar Wedermann në komentin e publikuar në “Blick”.
Sipas tij, Xhaka kthehet në ishull për t’iu treguar të gjithëve se çka mund të bëjë.
“Kampioni i Leverkusenit, Xhaka, ka zgjedhur të hyjë në betejën e vështirë për të shmangur rënien nga kategoria. Heroik, i guximshëm, me premisat e një filmi hollivudian. Qëndrimi në ligë është misioni i vetëm dhe më i madhi që Sunderlandi mund ta shpallë. Me përvojën dhe mentalitetin e tij, Xhaka pritet të udhëheqë këtë detyrë ‘herkuliane’. Nëse ia del me sukses, Sunderlandi do të jetë kryevepra e tij e radhës”.