Bayern Munichu është e vetmja skuadër aktualisht në elitën e futbollit gjerman që nuk ka pësuar humbje.
Ecurinë pozitive të rezultateve, ku aktualisht ka 12 fitore e një barazim, bavarezët synojnë ta vazhdojnë edhe në fundjavë kur takohen me Mainzin.
Kjo ndeshje luhet të dielën nga ora 17:30 në “Allianz Arena” dhe i takon xhiros së 14-të.
Bayern Munichu është i pari me 37 pikë, ndërsa Mainzi i fundit në tabelë ka vetëm gjashtë pikë.
Te Bayerni mbetet të shihet paraqitja e radhës e yllit në ngritje, 17-vjeçarit Lennart Karl. Ai i ka dy gola të shënuar e dy asistime në 11 paraqitje në Bundesligë, ndërsa vazhdon të paraqitet mirë në Ligën e Kampionëve. Në fitoren 3:1 ndaj Sportingut, Karl e shënoi golin e tretë rresht në Champions.
Te Mainzi, prej lojtarëve më të mirë vlerësohet të jetë Nadiem Amiri. Mesfushori ka kontribuuar në katër gola, në 12 paraqitje në elitën gjermane.
Bayern Munichu ka katër fitore rresht në Bundesligë, kurse Mainzi e ka fituar vetëm një nga 13 ndeshjet e Bundesligës në këtë edicion.
Skuadra tjetër pretendente për titull, Dortmundi, që është i treti në tabelë me 28 pikë, në fundjavë ballafaqohet me Freiburgun në udhëtim. Ndeshja luhet të dielën nga ora 15:30.