Futboll

Batatina: 3:0 duhej të ishte rezultati për Llapin vetëm në pjesën e parë

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, nuk është shprehur i brengosur pas humbjes së skuadrës së tij nga Prishtina.

Të dielën mbrëma në “Fadil Vokrri”, Prishtina fitoi 3:0 ndaj skuadrës llapjane. Sipas Batatinës ky rezultat është dashur të jetë në të mirë të Llapit dhe atë vetëm pas pjesës së parë.

Llapi e siguroi mbetjen në Superligë vetëm falë barazhit. Këtë edicion ka synime dukshëm më të mëdha, ndonëse mbeti pa lojtarë të rëndësishëm.

Llapi në xhiron e parë barazoi pa gola në udhëtim te Drenica, ndërsa në xhiron e dytë humbi thellë në udhëtimin në Prishtinë.

“Mendoj që fillimi i kampionatit është i vështirë. Normalisht, ne kemi bërë ndryshime në skuadër. Nuk është shumë e lehtë që të komponohet skuadra ndoshta ashtu siç mendojmë ne. Pavarësisht humbjes nga Prishtina, ne kemi potencial, kemi skuadër”, ka thënë Batatina.

Ai ishte aktiv gjatë verës duke bërë përforcime të shumta. Por thekson se duhet pak kohë që skuadra të dal në formën më të mirë.

Për humbjen 3:0 thekson se ishte vetë “mbrëmje e keqe”.

“Ka qenë një mbrëmje e keqe, duke e marrë parasysh se nuk arritëm t’i shënojmë golat. Në pjesën e parë është dashur që rezultati të ishte 3:0 në favorin tonë. Por kur nuk shënon në futboll, gjithmonë pëson. Mendoj se është ende herët. Ishte xhiroja e dytë. Ka plot ndeshje për t’u luajtur. Ne duhet të mendojmë për ndeshjet e ardhshme”, ka shtuar Batatina. 

Prishtina e Ferizaj janë skuadrat e vetme me bilanc maksimal pas dy xhirosh. Kjo është shenjë e parë që kampionati mund të jetë i barabartë. Natyrisht, edhe Llapi e kërkon rastin e tij për të luftuar për kreun.