Futboll

Barça luan te Girona, Reali pret Sociedadin

Barcelona

Pas disfatës së rëndë që e pësoi të enjten, Barcelona në fundjavë vëmendjen e kthen në La Liga.

Barça u turpërua duke u mposhtur nga Atletico Madridi me rezultatin e thellë, 4:0, në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit. Të katër golat, Atletico i realizoi në pjesën e parë. Ishte humbja më e thellë e Hansi Flickut si trajner.

Gjiganti katalunjas shpreson që ta lërë pas hidhërimin nga Kupa e Mbretit për t’u fokusuar në ndeshjen e ardhshme në kampionatin spanjoll.

Barça të hënën nga ora 21:00 luan në udhëtim te Girona. Kjo ndeshje edhe e mbyll xhiron e 24-t të La Ligas.

Barcelona është lidere me 58 pikë. Këtë edicion ka 19 fitore, një barazim dhe tri humbje.

Disfatën e fundit skuadrës së Barcelonës në elitë ia shkaktoi Real Sociedadi më 18 dhjetor.

Girona e zë vendin e 12-të me 26 pikë. Girona është duke luftuar për mbijetesë këtë edicion. Në tri ndeshjet e fundit ka dy barazime dhe një humbje.

Ndërkohë ekipi i cili është rivali kryesor i Barçës në garën për titull, Real Madridi, të shtunën nga ora 21:00 e pret Real Sociedadin.

Reali është në pozitën e dytë me 57 pikë. Sociedadi është në vendin e tetë me 31 pikë. Pritet të jetë ndeshje e fortë.