Futboll

Ballkani synon të kthehet te sukseset evropiane

ballkani

Përvoja në garat evropiane nuk i mungon skuadrës së Ballkanit. Ballkani është ekipi i vetëm kosovar që për dy vjet radhazi u kualifikua në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Klubi suharekas edhe këtë vit shpreson që t’i përsërisë sukseset e kaluara.

Ballkani të martën nga ora 20:30 do të përballet me skuadrën nga Malta, Floriana. Ndeshja luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Është e para e këtij raundi.

Para më shumë se një muaji skuadra suharekase ka filluar përgatitjet për këtë ndeshje, nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi.  

Trajneri Shehi së bashku me kapitenin Bajram Jashanica të hënën u paraqiten në konferencë për shtyp.

47-vjeçari Shehi deklaroi se skuadra është e etur që të fitojë. Ai është optimist që skuadra do t’i fitojë dy ndeshjet ndaj Florianas dhe do të kualifikohet në raundin e tretë.

“Kam një skuadër të mirë, skuadër që është e etur për të punuar dhe e etur për të fituar. Disa prej futbollistëve e kanë eksperiencën e duhur pasi e kanë prekur këtë nivel. Disa të tjera kanë dëshirën për të bërë sa më mirë. T’i bashkosh këto dy komponentë, grupi bëhet edhe më i fortë dhe të jep besim dhe optimizëm për ta kaluar këtë raund”, u shpreh Orges Shehi.

Floriana e eliminoi Haverfordwestin e Uellsit në rrethin e parë kualifikues. Është 26 herë fituese e kampionatit të Maltës dhe 21 herë fituese e Kupës malteze.

Shehi shtoi se Floriana ka ekip cilësor, me futbollistë që janë nga shtetet e ndryshme të botës.

Ballkani nis garimin prej raundit të dytë kualifikues.

“Ne luajmë në raundin e dytë kurse kundërshtari ka luajtur edhe në raundin e parë. Kemi pasur mundësinë që ta shohim në të dyja ndeshjet. Mendoj që është një kundërshtar që duhet vlerësuar, me lojtarë cilësorë që janë nga shtetet e ndryshme. Mendoj që është një ndeshje që ka vlerësimin tonë maksimal për të arritur objektivin tonë që është kualifikimi”.

Ballkani për herë të parë fazën grupore në Ligën e Konferencës e siguroi në edicionin 2022/23. Suksesin e përsëriti një vit më pas.

Në atë kohë skuadra suharekase u drejtua nga trajneri Ilir Daja.

Ballkani ka pësuar ndryshime të shumta gjatë verës. Vetëm të hënën i ka paraqitur dy lojtarë të rinj.

Njëri prej atyre që ishin kur u arrit suksesi i madh është kapiteni Bajram Jashanica.

Mbrojtësi me përvojë shpreson që përvoja e viteve të kaluara t’i ndihmojë skuadrës edhe tani për t’i arritur objektivat. Ai tha se të gjithë futbollistët do ta japin maksimumin.

“Prej se jam unë këtu, Ballkani ka pretenduar rezultate të mira. Edhe këtë vit kemi një ekip shumë të mirë, kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për më shumë se një muaj. Jemi përgatitur maksimalisht për këto ndeshje të Evropës. Besoj që eksperienca e disa futbollistëve që jemi në klub do të na ndihmojë shumë që t’i arrijmë edhe objektivat. Asnjë skuadër në Evropë nuk duhet nënvlerësuar. Duhet të japim maksimumin secili prej futbollistëve dhe shpresojmë që të marrim edhe rezultatet pozitive duke filluar nga nesër”, tha Jashanica.

Pos Ballkanit në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës paraqitet edhe Prishtina dhe disa skuadra të tjera shqiptare.