Futboll

Ballkani kthen fokusin te ndeshjet me Shamrockun

FC Ballkani

Te Ballkani nuk kanë kohë për të humbur, por as për të pushuar.

Të enjten mbrëma, skuadra suharekase siguroi avancimin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Barazoi 1:1 me Florianan në Maltë dhe falë fitores 4:2 në ndeshjen e parë, avancoi. Të premten suharekasit e kaluan thuajse gjithë ditën për kthim në Kosovë. Dhe menjëherë të shtunën nisin përgatitjet për sfidat e ardhshme evropiane.

Në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, Ballkani përballet me skuadrën nga Irlanda, Shamrock Rovers. Ndeshja e parë është menjëherë të enjten e ardhshme në “Fadil Vokrri” nga ora 20:30. Ndeshja e kthimit është më 14 gusht në Dublin.

“Kualifikimi është shumë i rëndësishëm për klubin. Kalojmë në raundin tjetër dhe mbesim pjesë e garave kontinentale”, ka thënë trajneri i Ballkanit, Orges Shehi, të premten për KOHËN.

Sunday Adetunji e shënoi golin për Ballkanin në Maltë. Ai realizoi në momentin më të mirë, në fund të pjesës së parë. Barazimi i rezultatit në 1:1 bëri që pjesa e dytë të jetë e qetë dhe pa ndonjë dramë.

Nigeriani Adetunji shkëlqeu edhe në ndeshjen e parë, me dy gola e një asistim. Dy gola në ndeshjen e parë i kishte edhe Bleart Tolaj.

Shamrock Rovers e eliminoi skuadrën nga Gjibraltari, St Joseph’s, në raundin e dytë kualifikues. Në Gjibraltar fitoi 4:0, ndërsa të enjten në Dublin ndeshja përfundoi 0:0.

“Shamrocku është skuadër që ka cilësitë e veta. Ne që nga sot kemi nisur të merremi me Shamrockun. Do ta analizojmë në detaje, pasi deri dje ishim të fokusuar te ndeshjet me Floriana. Kohë për të humbur nuk ka. Menjëherë nesër do të fillojmë përgatitjet për ndeshjen e radhës. Pra pa asnjë ditë pushim”, ka shtuar Shehi.

Ballkani ka bërë ndryshime të shumta në skuadër. Përbërja e re po merr formë, ndërsa dy ndeshjet me Florianan do të shërbejnë shumë. 

Ballkani dy herë ishte në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Vjet ishte ndalur në rundin e tretë kualifikues, duke mos ia dalë të sigurojë fazën e ligës, që e zëvendësoi atë grupore.

Suharekasve tani u duhet të kalojnë edhe dy kundërshtarë për të arritur suksesin e edicioneve 2022/2023 dhe 2023/2024.  

Shamrocku vjet e kaloi me sukses fazën e ligës në Konferencë, ndërsa u ndal nga Molde në plejofin e fazës nokaut.