AZ Alkmaari është kundërshtari më i fortë i Dritës në Ligën e Konferencës. Në shortin e fazës së ligës, skuadra holandeze ishte në vazon e parë, ndërsa Drita në të katërtën, prej gjashtë gjithsej. Madje AZ ishte i dyti në vazon e parë, vetëm pas Fiorentinës.
Drita e AZ Alkmaar takohen të enjten nga ora 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja i takon xhiros së pestë, përkatësisht të parafundit, të fazës së ligës në “Conference League”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPas katër xhirosh, kampionia e Kosovës qëndron dukshëm më mirë se skuadra e njohur holandeze në tabelë. Drita është ende pa humbje. Ka dy fitore e dy barazime dhe me tetë pikë është aktualisht në vendin e tetë. Kjo pozitë në fund dërgon direkt në një të tetën e finales në Ligën e Konferencës.
AZ Alkmaar është vetëm në vendin e 20-të pas katër xhirosh. Ka dy fitore e dy humbje, përkatësisht gjashtë pikë. Pozita e 20-të dërgon në plejofin e fazës nokaut.
Ndonëse favorit i madh, AZ Alkmaar nisi si më keq fazën e ligës. Pësoi 4:0 në udhëtim nga AEK Larnaca në Qipro. Më pas në shtëpi fitoi 1:0 ndaj Slovan Bratislavës. Në xhiron e tretë ekipi holandez ishte sërish mysafir. Dhe humbi 3:1 në Angli nga Crystal Palace. Reagoi në xhiron e katërt në ndeshjen në shtëpi, duke fituar 2:0 ndaj Shelbourne të Irlandës.
Dhe tani holandezët kanë tjetër ndeshje në udhëtim.
Drita e Gjilanit nisi me barazim 1:1 në udhëtim te KuPS në FInlandë. Më pas barazoi po 1:1 me Omonian e Qipros në “Fadil Vokrri”. Në xhiron e tretë fitoi 1:0 në Irlandë ndaj Shelbourne, kurse në kuadër të xhiros së katërt e fitoi në Prishtinë “derbin shqiptar” ndaj Shkëndijës së Tetovës, me rezultatin 1:0.
Në xhiron e gjashtë dhe të fundit, Drita luan në Spanjë ndaj Rayo Vallecanos, më 18 dhjetor. Rayo Vallecano në short ishte në vazon e dytë.
Në elitën holandeze, AZ Alkmaari është në vendin e pestë me 25 pikë. Janë luajtur 15 xhiro, ndërsa kjo skuadër ka mbetur plot 15 pikë prapa PSV-së që udhëheqë në tabelë.
Edhe kampionatin e kaluar kjo skuadër e përfundoi në vendin e pestë në “Eredivisie”.
Për dallim nga Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës ku zhvillohen tetë xhiro, në Ligën e Konferencës janë gjashtë xhiro në fazën e ligës. Tetë skuadrat e para në tabelë avancojnë direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej vendit të nëntë e deri në vendin e 24-t avancojnë në plejofin e fazës nokaut. Ndërkohë skuadrat prej vendit të 25-të deri në vendin e 36-të eliminohen.
Për Dritën është sukses i madh paraqitja në fazën e ligës. Por tashmë gjilanasit synojnë të shkojnë sa më larg. Me sukses ndaj AZ Alkmaarit, një e teta e finales duket shumë e mundshme.