Futboll

Amorimi thotë që është koha e duhur që të ndryshohet formacioni i Unitedit

united

Trajneri i Manchester Unitedit, Ruben Amorim, thotë se nëse do ta kishte ndryshuar formacionin e skuadrës për shkak të presionit të mediave, atëherë ky do të ishte “fundi” për të.

Amorim hoqi dorë nga formacioni me tre lojtarë në qendër të mbrojtjes dhe dy lojtarë krahu, për herë të parë kundër Newcastle Unitedit. Në vend të kësaj vendosi për formacionin me katër mbrojtës dhe dy mesfushorë defensivë.

Ky formacion u shndërrua në vendosje me gjashtë mbrojtës në fazën e fundit të ndeshjes. Unitedi shënoi fitore dhe vetëm për herë të dytë këtë edicion e mbajti portën e paprekshme.

Edhe pse dikur thoshte që as Papa nuk do të mund ta detyronte të ndryshonte sistemin e tij, Amorim tani thotë se aftësia për të luajtur me formacione të ndryshme ka qenë gjithmonë plani i tij.

Ai ka shtuar se mund ta bënte ndryshimin vetëm kur skuadra e tij po luante mjaftueshëm mirë. Përndryshe do të dukej se po i nënshtrohej zhurmës së jashtme.

“Kur erdha këtu edicionin e kaluar, e kuptova se ndoshta nuk kam lojtarët për të luajtur mirë në atë sistem. Por ishte fillimi i një procesi”, tha portugezi.

“Ne po bënim përpjekje për të ndërtuar një identitet. Sot është një moment tjetër. Nuk kemi shumë lojtarë dhe duhet të përshtatemi, në mënyrë që ata të kuptojnë pse po ndryshojmë. Nuk është për shkak të presionit të mediave apo tifozëve. Kur mediat flisnin gjatë tërë kohës për ndryshim të sistemit, unë nuk mund ta bëja këtë pasi lojtarët do të mendonin se po ndryshoj për shkak të mediave. Dhe mendoj se ky është fundi për një trajner. Kur luajmë mirë në sistemin tonë, atëherë është momenti për të ndryshuar. Do të bëhemi ekip më i mirë, sepse kur të gjithë lojtarët të kthehen, nuk do të luajmë me tre mbrojtës gjatë gjithë kohës”, ka thënë Amorim.

Me vetëm dy fitore në tetë ndeshje para fitores ndaj Newcastlet, është diskutabile nëse Amorim ka të drejtë të thotë se skuadra e tij ka luajtur mirë.

Megjithatë ai po punon me një skuadër më të kufizuar. Shtatë lojtarë do të mungojnë në ndeshjen e së martës ndaj Wolvesit.

Ky numër do të rritet nëse Mason Mount nuk arrin të sanojë një lëndim që e detyroi të largohej pas pjesës së parë të ndeshjes me Newcastlen.

Kapiteni Bruno Fernandes është një nga lojtarët që do të mungojë të martën mbrëma. Fernandes i ka kërkuar trajnerit që ta lejojë të kthehet, pas lëndimit të pjesës së pasme të kofshës, më 21 dhjetor.

“Bruno thotë se duhet të ushtrojë. Por nuk ka asnjë shans që ai të luajë kundër Wolves. Asnjë shans. Mund ta shkruani këtë”, ka thënë Amorim të hënën.

Të lënduar tek Unitedi janë edhe Kobbie Maino, Matthijs de Ligt dhe Harry Maguire.

Ndërkohë, Noussair Mazraoui, Amad Diallo dhe Bryan Mbuemo janë në Kupën e Afrikës.

Të martën mbrëma janë gjashtë ndeshje të xhiros së 19-të të Premier Leagues. Nga ora 20:30 janë takimet Burnley – Newcastle United, Chelsea – Bournemouth, Nottinhgham – Everton dhe West Ham – Brighton. Nga ora 21:15 zhvillohen takimet Arsenal – Aston Villa dhe Manchester United – Wolves.