Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

A mund të fillojë Arsenali periudhë dominimi?

Arsenal

Ishte pritje e gjatë. Por pas 22 vjetësh Arsenali më në fund e ka përsëri në dorë trofeun e Premier Leagues.

Titulli i kampionit të Anglisë kompleton transformimin e jashtëzakonshëm të klubit nga Mikel Arteta, gjatë shtatë vjetëve në krye. Ai bëri hapin më të madh duke fituar titullin e kampionit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Skuadra e Artetas ka lënë pas etiketën e “pothuajse burra”, pas tri përfundimeve rresht në vendin e dytë. Dhe tani, pasi periudha pa trofe përfundoi, Arsenali mund të shikojë drejt të ardhmes.

“Ishte bukur”, tha Arteta pasi ngriti trofeun e Premier Leagues për herë të parë. 

“Shikoni gëzimin e gjithë njerëzve. Ata e kanë pritur këtë për kaq shumë kohë. Kemi pasur momente të vështira rrugës, por ia vlen kur shihni këtë lloj reagimi. Mendoj se treguam lidhje, përkushtim dhe guxim të jashtëzakonshëm. Çdo gjë përreth nesh ka nxitur dëshirën për të bërë këtë”, ka shtuar tekniku spanjoll.

Me finalen e Ligës së Kampionëve ndaj PSG-së, që zhvillohet menjëherë të shtunën, ky mund të jetë fillimi i një periudhe dominimi të vërtetë për “topçinjtë”.

Arsye e madhe pse triumfi në ligë është moment shumë i rëndësishëm psikologjik, është që Arteta ia doli ta kalonte mikun shumëvjeçar dhe mentorin e tij, Pep Guardiola.

Trajneri i Manchester Cityt është larguar pas dhjetë vjetësh në krye. Ai ishte arsye për kaq shumë dëshpërim të Arsenalit në vitet e fundit.

Dhe tani mund të jetë koha për sukses të qëndrueshëm të Arsenalit. 

Kampioni i vitit të kaluar, Liverpooli, mbeti plot 25 pikë prapa Arsenalit në kampionatin që përfundoi të dielën. Ka një debat nëse trajneri aktual, Arne Slot, është i duhuri për të kthyer Liverpoolin në garë për titull.

Manchester Unitedi, ndonëse i ringjallur nga Michael Carrick, nuk është kthyer ende si sfidues i rregullt për titull, derisa Chelsea ka pasur edicion zhgënjyer dhe përfundoi në mes të tabelës.

Arteta tashmë ua ka përcjellë mesazhin lojtarëve se si do të ndryshojë mentaliteti i tyre si fitues të ligës. I ka nxitur ata të shtojnë më shumë trofe në koleksion.

“U thashë djemve se kjo fanellë tani përfaqëson diçka tjetër”, tha Arteta. “Ne jemi kampionë dhe kjo sjell shumë vetëbesim dhe një lloj tjetër pranie e energjie. Por gjithashtu përgjegjësi tjetër dhe puna ime dhe e klubit tani është ngritja e këtyre standardeve dhe arritja e shumë sukseseve. Mendoj se jemi të aftë për këtë”.

Arteta e dëshiron paradën me dy trofe të mëdhenj, ndërsa synon ta udhëheqë Arsenalin drejt triumfit të parë në Champions.

Klubi e mbështeti trajnerin me 250 milionë funte verën e kaluar. Synimi ishte të rritej cilësia në skuadër. U transferuan lojtarë si Viktor Gyokeres dhe Martin Zubimendi. Trajneri tani dëshiron të ndërtojë një trashëgimi suksesi të qëndrushëm te “Gunners” dhe sapo të përfundojë finalja, fokusi do të zhvendoset te firmosja e kontratës së re të tij.

Do të ketë të tjera transferime. Drejtuesit e klubit po i qëndrojnë prapa këkresave të Artetas. Dhe mund të jetë koha që Arsenali të shndërrohet në fitues serik.