Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet përgjegjësi institucionale për kushtet në Pediatri

pediatri

Rasti i denoncuar nga një qytetare për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, ku ishte i shtrirë djali i saj 2-vjeçar, ka nxitur reagime të institucioneve, organizatave dhe përfaqësuesve politikë.

Pasi në rrjetet sociale janë publikuar fotografi dhe pretendime për kushte të papërshtatshme infrastrukturore dhe trajtim jodinjitoz, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar të hënën se ka formuar një komision ad-hoc për të zhvilluar hetim administrativ dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.

Ndërkohë, të martën, në një përgjigje për KOHËN, nga ky institucion kanë thënë se pas përfundimit të hetimeve do të ndërmerren edhe veprimet përkatëse, në varësi të gjetjeve.

Drejtori i Shërbimeve Tekniko-Administrative në QKUK, Fisnik Dobra, ka deklaruar se ka nisur zëvendësimi i shtretërve të dëmtuar në Klinikën e Pediatrisë.

“Sot është bërë ndërrimi i disa shtretërve të cilët kanë qenë të dëmtuar. Janë ndërruar me shtretër të rinj, ju e patë edhe vetë, ishit dëshmitarë të ndryshimeve që janë bërë. Desha t’ju njoftoj se ky është vetëm fillimi i një projekti, nga një kontratë që është lidhur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit e 10 qershorit, për modernizimin e infrastrukturës. Këtu konkretisht bëhet fjalë për furnizim me inventar për klinikat, inventar medicinal”, ka thënë Dobra të martën.

Edhe QKUK-ja merr masa ndaj katër infermierëve dhe suspendon një punëtor teknik pas ankesës së një qytetareje Arbëri 1 d. më parë QKUK-ja merr masa ndaj katër infermierëve dhe suspendon një punëtor teknik pas ankesës së një qytetareje

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në një reagim ka thënë se çdo pacient, e veçanërisht fëmijët duhet të trajtohen me dinjitet.

“Pretendimet për mungesën e kushteve elementare higjieno-sanitare, kontrollin e infeksioneve, mungesën e mjeteve bazike higjienike dhe komunikimin me familjarët nuk mund të trajtohen si çështje dytësore. Këto nuk janë kërkesa për luks, por standarde minimale që çdo institucion shëndetësor është i obliguar t'i garantojë”, thuhet në reagim.

Njohësi i çështjeve të shëndetësisë, Vlorjan Molliqaj, ka thënë se ky rast nuk flet vetëm për një infermiere të pasjellshme, por për një shtet që i ka lënë qytetarët pa alternativë dhe punëtorët shëndetësorë pa kushte.

“Kur në Pediatri mungon sapuni, çarçafi, privatësia dhe mbrojtja nga infeksionet, nuk kemi thjesht problem sjelljeje, por dështim politik dhe institucional. Është e lehtë të dënohet punëtori në fund të zinxhirit. Por përgjegjësia kryesore është tek ata që menaxhojnë buxhetin, furnizimin, stafin dhe institucionin”, është shprehur Molliqaj.

E deputetja e zgjedhur nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka vlerësuar se gjendja në shëndetësi është alarmante.

“Pas gjashtë vjetësh me të gjitha nivelet e pushtetit në duar dhe me rreth 4 miliardë euro buxhet çdo vit, ta kesh shëndetësinë në këtë gjendje është turp. Dhe kjo gjendje nuk është rastësi.

Edhe QKUK-ja nis zëvendësimin e shtretërve në Pediatri Arbëri 6 o. më parë QKUK-ja nis zëvendësimin e shtretërve në Pediatri

Gjendja në shëndetësi ka emër: emri i saj është korrupsion”, ka shkruar ajo në një postim.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë nëse do të kërkojë raport nga QKUK-ja për këtë rast, por të martën nuk ka marrë përgjigje.