Melbourne City e ka fituar titullin në elitën e futbollit të Australisë, ndërsa talenti Medin Memeti ka dhënë kontribut të madh përgjatë gjithë edicionit.
Melbourne City fitoi 1:0 të shtunën ndaj rivalit Melbourne Victory dhe e festoi titullin e dytë në histori. Të parin e kishte fituar në vitin 2021.
Golin e fitores e realizoi sulmuesi Yonatan Cohen, në minutën e dhjetë.
Memeti në ndeshjen finale të plejofit u inkuadrua në lojë në minutën e 66-të, ndërsa në fundin e ndeshjes e pati një lëvizje që ka marrë vëmendjen e të gjithëve.
Faqja zyrtare e A-Leagues australiane në një shkrim të gjatë, e ka përmendur edhe talentin e 17-vjeçarit Memeti.
“Talenti i tinejxherit tregon se çfarë pritet në të ardhmen”, është titulli i vendosur nga sajti australian.
“Kur skuadra udhëheqë 1:0 në momentet e fundit të finales dhe është në posedim të topit në zonën e kundërshtarit, ju prisni që lojtari ta kontrollojë topin, të shkojë drejt kornerit dhe ta vonojë lojën. Por, kështu nuk bëri i talentuari i Melbourne Cityt, Medin Memeti. Nën presion nga mbrojtësi i Melbourne Victory, Josh Rawlins, 17-vjeçari shfaqi aftësi mahnitëse ndonëse nuk ishte në pozitë të mirë. Duke u përpjekur ta mbante topin në lojë, Memeti bëri prekje të jashtëzakonshme të topit me thembër duke e kaluar Rawlinsin, dhe doli në pozitë të mirë”, shkruan A-League e Australisë.
Tutje faqja zyrtare e elitës së futbollit australian ka treguar edhe për vetëbesimin e madh që e ka futbollisti i ri në moshë, por i pjekur në lojën që e aplikon.
“Pasi e shënoi golin e parë për Cityn në fitoren 5:0 ndaj Perth Gloryt në xhiron e katërt, Memeti e mbylli kampanjën me dhjetë ndeshje si titullar nga 20 paraqitje. Ai shënoi pesë gola dhe dhuroi një asistim”, ka shkruar “ALeagues.com”.