Në xhiron e kaluar Prishtina e Re fitoi 2:0 ndaj Drenicës dhe e kaloi skuadrën kuqezi në tabelë.
Prishtina e Re ka tjetër rast për të kaluar rival në tabelë. Të shtunën në Hajvali, Prishtina e Re e pret Llapin, në njërën prej ndeshjeve të rëndësishme të xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja fillon në ora 13:00.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe fitore eventuale, Prishtina e Re e kalon Llapin me pikë dhe rrjedhimisht edhe në tabelë. Pas xhiros së 21-të, Llapi është në vendin e shtatë me 22 pikë. Ndërkohë Prishtina e Re është e nënta, përkatësisht e parafundit, me 21 pikë.
Ka shumë njohës futbolli që Prishtinën e Re veçse e kishin vlerësuar pa gjasa për të mbetur në elitë. Por te kjo skuadër nuk u dorëzuan, bënë ndryshimet e nevojshme dhe tani janë fuqishëm në garë për mbetje në Superligë. Në vendin e fundit është Drenica me 21 pikë. 22 pikë në vendin e tetë, që në fund dërgon në barazh, i ka Ferizaj.
Kjo katërshe ka mbetur goxha prapa me pikë në krahasim me gjashtë skuadrat e tjera. Gjilani e mban vendin e gjashtë aktualisht, por me 30 pikë. Pra plot tetë më shumë se Llapi e Ferizaj.
Llapi, si zakonisht, e ka nisur edicionin me synim për pjesën e epërme të tabelës. Por deri në fund të kampionatit i duhet të luftojë për mbetje në Superligë.
Të shtunën janë edhe dy ndeshje të tjera të xhiros së 22-të. Gjilani e pret Malishevën, kurse Dukagjini e pret në Klinë skuadrën e Ferizajt.
Gjilani, e sidomos Malisheva janë pjesë e garës për kreun e tabelës, përkatësisht për titull. Malisheva i ka 34 pikë në vendin e katërt. Nga 36 pikë i kanë Ballkani e Prishtina në pozitat dy e tre, derisa Drita është lidere me 38 pikë. Larg nuk është as Dukagjini, me 31 pikë në vendin e pestë.
“Jemi në prag të një ndeshje shumë të rëndësishme për ekipin tonë. Kemi kundërshtar të fortë. Këtë e dëshmon renditja tabelare dhe paraqitjet e fundit. Na pret ndeshje shumë e vështirë. Pas fitores ndaj Prishtinës presim të kemi vazhdimësi dhe të jemi konkurent për pjesën e epërme të tabelës. Nesër duhet të japim maksimumin dhe të shohim se cili do të jetë epilogu”, ka thënë trajneri i Gjilanit, Debatik Curri, para ndeshes me Malishevën.
Malisheva ka vazhduar me përforcime, duke konfirmuar se ka synime të mëdha. Të premten i prezantojë edhe dy lojtarë të rinj.
Të dielën prej orës 13:00 është ndeshja mes Ballkanit e Drenicës. Ndonëse me pretendime plotësisht të ndryshme, të dy skuadrat i kërkojnë pikët.
Ndërkohë xhiroja mbyllet me derbin e madh mes Prishtinës e Dritës. Kjo ndeshje luhet të dielën nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Është ndeshje me ndikim direkt në pozitën e parë në tabelë e rrjedhimisht edhe në garën për titull të kampionit.