Fejton - KOHA Ditore, 11 dhjetor 2007

Qiproja, “Kali i Trojës” në BE

Qiproja, “Kali i Trojës” në BE

Ministrat e jashtëm të BE-së afrojnë qëndrimet rreth Kosovës (KOHA Ditore, 11 dhjetor 2007)

Ende nuk ka unitet të plotë rreth Kosovës në BE, por kryesuesi i Këshillit të BE-së e quan unitetin si proces. Disa ministra bëjnë gisht nga Qiproja, si pengesa më e madhe e mbetur

Bruksel, 10 dhjetor 2007 - Edhe 10 dhjetori, e konsideruar si dita D, kaloi dhe asgjë historike nuk ndodhi për Kosovën, pos që ministrat e jashtëm të BE-së nga dora e parë dëgjuan se nuk kanë dhënë fryt përpjekjet për të bindur Prishtinën dhe Beogradin që të pajtohen për statusin e ardhshëm të Kosovës.

Ambasadori Wolfgang Ischinger u ka përcjellë të hënën në Bruksel ministrave të jashtëm të BE-së se nuk ka më hapësirë për të kërkuar marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës përmes negociatave, sepse “nuk ka mbetur gurë pa u lëkundur” për të gjetur zgjidhjen, dhe ajo nuk është arritur.

Ministri i jashtëm i Portugalisë, Luis Amado, pranoi se ka afrim të pozicioneve mes shteteve të BE-së rreth Kosovës, por jo ende edhe unitet të plotë rreth kësaj. Ai tha se ambasadori Ischinger pos që ka raportuar para ministrave të BE-së për procesin negociator, ka dhënë edhe disa mendime të veta që, sipas ministrit portugez, kanë ndihmuar që të kuptohet më mirë procesi i negociatave dhe vështirësitë që kanë qenë të pranishme në përpjekjet për të bindur palët që të pajtohen rreth statusit.

Por, kryesuesi i radhës i Këshillit të ministrave të BE-së pranoi se tash vendet e BEsë, pas katër muajsh negociatash, kanë një kuptim më të mirë se çfarë duhet bërë. Ai nuk deshi të jetë më i saktë në pohimin e tij. I pyetur disa herë rreth kundërshtimit që bën Qiproja ndaj pavarësisë së Kosovës, ministri Amado tha se “nuk duhet veçuar vendet, por procesi i kërkimit dhe ndërtimit të unitetit po vazhdon”.

Problemi më i madh, Qiproja

Por shumë diplomatë gjatë diskutimeve të hënën kanë thënë se pothuajse të gjitha shtetet, me përjashtim të Qipros, do të njohin apo së paku nuk do të kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, nëse kjo bëhet në mënyrë të koordinuar dhe të kontrolluar. Bindja se Qiproja ka një pozicion si të ishte “Kali i Trojës” brenda BE-së, është forcuar edhe me faktin paraditen e së hënës, në Nikozi, ku ka qëndruar ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili pas takimit me presidentin qipriot, Tassos Papadopoulos, u ka thënë gazetarëve se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga shtetet perëndimore do të shkaktojë “reagim zinxhiror” dhe “nuk do të mbetet pa pasoja”.

Në të njëjtën kohë në Bruksel, Javier Solana, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, tha se për Kosovën duhet një zgjidhje që është politike, rajonale dhe operacionale. Ai tha se shpreson që kur të vijë momenti do të ketë mbështetje të plotë për operacionet e BE-së në Kosovë.

“Unë mendoj se pozicionet brenda Bashkimit Evropian janë duke ardhur nga momenti kur vendet anëtare do të jenë në gjendje të jenë së bashku duke marrë përgjegjësinë që duhet të marrin”, ka thënë Javier Solana. Ai ka paralajmëruar që diskutimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën, tash, pasi që Sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka marrë raportin e Trojkës, do të zhvillohen jo vetëm më 19 dhjetor, por mund të zgjasin edhe më 20 dhe 21 dhjetor po ashtu.

Disa ministra kanë thënë se tash ka një pajtim më të madh mes shteteve të BE-së, se sa që kishte më parë. Kështu, sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Miliband, i cili më parë kishte thënë se vend i tij do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ka thënë se në diskutim uniteti i BE-së ka qenë shumë më i madh sesa para gjashtë muajsh, kur ai për herë të parë si ministër kishte marrë pjesë në diskutimet për Kosovën në takimin ministror të BE-së.

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Cark Bildt, ka thënë se BE-ja nuk duhet të përsërisë gabimet që janë bërë në fillim të viteve nëntëdhjetë dhe duhet të veprojë në mënyrë unike e jo si e ndarë. “Është ende një shtet i cili kategorikisht thotë se nuk mund të veprojë pa Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Unë mund ta kuptoj këtë pozicion. Mendoj se shumica e shteteve do të preferonin të jetë ashtu, por nëse nuk ndodh një gjë e tillë, duhet të veprojmë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Bildt.

Se fjala është për Qipron, si ndoshta vendi i vetëm që kategorikisht është kundër pavarësimit të Kosovës pa rezolutë të OKB-së, ka lënë të kuptohet ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn. Takimi i së hënës i ministrave të jashtëm të BE-së ka qenë edhe takim përgatitor për samitin që do të zhvillohet të premten në Bruksel. Në këtë samit pritet që BE-ja të dalë me deklaratën se e konsideron procesin e negociatave si të përfunduar dhe se status quoja nuk është e qëndrueshme më, prandaj duhet shkuar drejt vendimit për statusin e Kosovës.

Mospajtime me Rusinë rreth Kosovës

Të hënën mbrëma, në Bruksel është zhvilluar edhe takimi i Këshillit të bashkëpunimit BE-Rusi në nivel të ministrave të jashtëm, ku Federatën Ruse e ka përfaqësuar ministri i Jashtëm Sergej Lavrov. Vetë Lavrov u tha gazetarëve se nuk ka në këtë moment qëndrime të njëjta rreth Kosovës mes Rusisë dhe BE-së, por ai mendon se këto qëndrime mund të afrohen nëse do të ketë negociata të tjera për statusin e Kosovës. Lavrov edhe një herë tha se Rusia angazhohet fuqishëm për vazhdimin e negociatave, diçka që më nuk e mendojnë vendet e Bashkimit Evropian.

“Nuk ka zgjidhje magjike me të cilën do të pajtoheshin të dyja palët, prandaj ne fuqishëm mbështesim vazhdimin e negociatave ”, ka thënë Lavrov. Ai edhe një herë ka kundërshtuar interpretimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKBsë, në mënyrë që ai e ka quajtur “të njëanshme”. “Ato shtete që dëshirojnë ta përdorin Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, nuk do t’i bëjnë shërbim atij”, ka thënë Lavrov, duke shtuar se “nuk mund të ketë pavarësi pa qasje juridike”.

Përfaqësuesi i BE-së për politike të jashtme dhe siguri Javier Solana, edhe një herë ka dëshmuar se ai mbetet optimist i papërmirësueshëm. Kësaj radhe në konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Solana tha se beson që mund të arrihet pajtim edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Nuk jam naiv dhe e di se nuk do të jetë lehtë, por duhet të punojmë dhe të veprojmë”, ka thënë Solana.

Ministri i Jashtëm i Portugalisë, Amado, ka thënë në të njëjtën konferencë për shtyp se “Kosova është një problem politik dhe do të zgjidhet, edhe pse ka elemente juridike, duhet një zgjidhje politike”.

Amado ka paralajmëruar se BE-ja do të ketë një qëndrim të përbashkët, por do të lejojë fleksibilitet për vendet anëtare që të veprojnë në mënyrë individuale si shtete sovrane.

“BE-ja nuk është shtet federal dhe ne nuk mund të veprojmë aq lehtë si mund ta bëjë këtë Rusia apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë shefi i diplomacisë portugeze, duke folur si kryesues i radhës i Këshillit të ministrave të BE-së.


Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008. Lexoni këto përmbajtje në një vend: