Ekskluzive: Diplomatët perëndimorë për herë të parë përmendin datat e mundshme për shpalljen e pavarësisë (KOHA Ditore, 26 janar 2008)
Disa burime diplomatike perëndimore i kanë thënë “Kohës Ditore” se „nuk ka data të sakta për shpalljen e pavarësisë, por datat më ideale konsiderohen 17 shkurti apo 9 marsi“. Afati në mars mund të merret në konsideratë vetëm nëse Spanja, eventualisht Rumania, premtojnë se do të jenë në grupin e shteteve që menjëherë pas shpalljes do të japin deklaratën politike për njohjen e pavarësisë
Bruksel, 25 janar 2008 - Në lojën e nervave rreth datave të mundshme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në kohën kur në fakt nuk ekziston ndonjë datë e fiksuar, më në fund në qarqet diplomatike perëndimore kanë filluar të qarkullojnë vërtet datat, të cilat konsiderohen si „ideale“ për të shpallur pavarësinë dhe për të siguruar një reagim shumë të shpejtë të vendeve perëndimore në njohjen e saj. Këto data nuk janë fiksuar, nuk janë rezultat i ndonjë marrëveshjeje të prerë, por janë datat më të përshtatshme për shumicën e faktorëve që marrin pjesë në realizimin e këtij skenari. Kështu disa burime diplomatike perëndimore, që folën për “Kohën Ditore” me kushte anonimiteti, thanë se „datat më ideale për të shpallur pavarësinë do të ishin e diela e 17 shkurtit apo e diela e 9 marsit“.
Me tërheqjen e vërejtjes që të mos krijohet përshtypja se ka data të fiksuara, këto burime ia shpjeguan “Kohës Ditore” pse mu këto data konsiderohen si më të përshtatshmet. Që të dyja këto data janë të diela, pra ditë kur në Kuvendin e Kosovës do të mund të zhvillohej ceremonia e shpalljes së pavarësisë. Pastaj që të dy këto data bien një ditë para takimeve të rregullta të Këshillit të Përgjithshëm dhe Punëve të Jashtme të Ministrave të BE-së që zhvillohen më 18 shkurt dhe më 10 mars.
Me udhëheqjen e vendeve kryesore të BE-së, atyre që janë në Grupin e Kontaktit, tashmë ekziston një strategji sipas së cilës „shumë shpejt pas shpalljes“ BE-ja në nivel të ministrave të jashtëm do të miratonte „qëndrimin e përbashkët“ me të cilin do të „merrte në dijeni shpalljen e pavarësisë“ dhe do t’u sugjeronte vendeve anëtare që „në bazë të procedurave të tyre nacionale të veprojnë lidhur me njohjen“. Në këtë „qëndrim të përbashkët“ nuk do të përmendej fjala „pavarësi“ për të mos hasur në ndonjë veto eventuale nga ndonjë shtet por ajo do të kuptohej si sinjal politik që BE-ja do t’u bënte vendeve të saj anëtare për të njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa menjëherë, duke filluar nga e njëjta ditë, shtetet individuale do të bënin deklarimet politike për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Më pas, secili shtet veç e veç, do të ecte drejt vendosjes së raporteve diplomatike me Kosovën.
Nëse Kosova do të shpallte pavarësinë më 17 shkurt, atëherë më 18 shkurt, në Bruksel, në takimin e ministrave të jashtëm, BE-ja do të reagonte sipas planit që është pjesë e „deklarimit të koordinuar të pavarësisë“ që tashmë është futur në fjalorin diplomatik perëndimor si CDI (shkurtesë nga fjalia angleze Coordinated Declaration of Independence).
Për datën 18 shkurt nuk do të bënin problem liderët e Kosovës, por as Washingtoni, sepse në dhjetor, kur BE-ja ka arritur të bindte Washingtonin që të shtyhej shpallja e pavarësisë deri pas zgjedhjeve në Serbi, shkurti është përmendur si afat. Në atë kohë, evropianët kanë premtuar se do të bëhet çmos që në grupin e shteteve që do të njohin “shumë shpejt” pavarësinë e Kosovës do të ketë më shumë shtete. Përmendet madje numri i më shumë se 22 vendeve anëtare të BE-së. E pas vizitës së fundit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel, diplomatët e BEsë janë bindur se kosovarët do të respektojnë çdo gjë për të cilët do të jepte pajtimin Washingtoni.
Kështu në Bruksel vlerësojnë se “nëse do të ketë ndonjë befasi rreth Kosovës (mendohet në shpallje të befasishme të pavarësisë) kjo mund të jetë vetëm rezultat i sinjalit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e jo vendim unilateral i Prishtinës.
“Ne u besojmë kosovarëve por në ëndërr të keqe kemi edhe skenarin, sipas të cilit ata mund të na vinë e të na thonë: Shikoni-pas shumë pritjeve ne jemi të pavarur e ju bëni çfarë të doni”, i tha “Kohës Ditore” një diplomat evropian.
Shpallja e pavarësisë të dielën ka një rëndësi edhe logjistike për Bashkimin Evropian. Në rast se qëllon të mos ketë atë javë ndonjë takim të rregullt të ministrave të jashtëm të BE-së, atëherë Sllovenia, e cila ka kryesimin e radhës së BE-së, sipas të gjitha gjasave, do të duhej të thërriste një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm vetëm për të reaguar ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Rëndësia tjetër pse preferohet që pavarësia të shpallet të dielën është edhe të kufizohet hapësira e veprimit e kundërshtarëve të pavarësisë, mendohet kryesisht në Rusinë. Pasi supozohet se Rusia do të kërkojë mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke marrë parasysh zonën e ndryshme kohore ku New Yorku është 6 orë prapa Brukselit, derisa të fillonte një takim atje në Bruksel do të ishte marrë vendimi i BE-së dhe shumica e shteteve të saj anëtare do të kishin dhënë deklarimet publike se do ta njihnin pavarësinë. Kjo, sipas burimeve diplomatike të “Kohës Ditore”, do t’i mundësonte sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, që të “përshëndet BE-në dhe gatishmërinë e saj për të marrë përgjegjësi në Kosovë”.
Ky deklarim politik i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së do të kishte rëndësi të madhe politike, në mungesë të vendimit të prerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Rusia për më shumë se një vit kishte bllokuar çdo mundësi të kalimit të vendimit atje. Aq më tepër, për Ban Ki Moonin një veprim i tillë do të ishte i përshtatshëm edhe për shkak se kosovarët do të shpallnin pavarësinë bazuar në propozimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marrti Ahtisaari, ndërsa BE-ja për angazhimin e saj tashmë vlerëson se ka bazë të mjaftueshme në Rezolutën ekzistuese të Këshillit të Sigurimit 1244. Kështu, Rusia dhe kundërshtarët e tjerë eventualë të pavarësisë do të gjendeshin para faktit se shumica e vendeve të BEsë e kanë marrë vendimin dhe se nuk mund të llogarisin më as në ndarjen e BE-së në dysh rreth Kosovës. Nëse pavarësia nuk do të shpallej më 17 shkurt, atëherë datë tjetër e mundshme, që qarkullon në qarqet diplomatike, është 9 marsi. Është pa ashtu e diel dhe një ditë para takimit të ministrave të jashtëm të BE-së që takohen më 10 mars. Por, BE-ja, mendohet kryesisht në Gjermaninë dhe Francën dhe disa diplomatë evropianë, do ta ketë vështirë të bindë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shtyrë vendimin për muajin mars, pasi që, sipas burimeve diplomatike, kur është shtyrë për shkurt është thënë se „kjo është hera e fundit“.
Ata që dëshirojnë shtyrje të vendimit për muajin mars përmendin disa arsye, në mesin e të cilave ka edhe disa që duken jo edhe aq serioze. Një prej arsyeve është zhvillimi i zgjedhjeve në Spanjë që janë caktuar për datën 9 mars. Kosova nuk luan rol si temë në zgjedhjet në Spanjë por, në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga BE-ja, në Spanjë kjo mund të bëhet temë debati dhe këtë partitë politike dëshirojnë ta evitojnë „nëse ka mundësi“. Këtë nuk e ka konfirmuar askush zyrtarisht, por shumë diplomatë kanë pranuar privatisht se Spanja do të preferonte që Kosova të mos e shpallë pavarësinë para zgjedhjeve në këtë vend. Kështu evropianët që do të dëshironin shtyrjen e pavarësisë së Kosovës për muajin mars te kosovarët dhe amerikanët vinë me joshjen se „në këtë rast edhe Spanja si vend i rëndësishëm i BE-së, me ndikim në botën latine, do të ishte në mesin e shteteve që do të sinjalizonte që në fillim se do ta njohë pavarësinë e Kosovës“.
Por gjasat për të shtyrë shpalljen e pavarësisë për muajin mars, sipas burimeve diplomatike, janë minimale nëse Spanja nuk jep premtime se ajo do të jetë në krah të atyre vendeve që do të njohin pavarësinë pa rezerva. Po ashtu vetëm tri ditë pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, më 13 mars, do të zhvillohet samiti i BE-së. Data 9 mars për shpallje dhe 10 mars për evidentim të BE-së konsiderohet sipas shumë diplomatëve si afati i fundit për shkak se më 10 mars është takimi i fundit i ministrave të jashtëm të BE-së para samitit të NATO-s në Bukuresht me 2, 3 dhe 4 prill. E burimet diplomatike në Bruksel thonë se „amerikanët, britanikët dhe disa vende të tjera duan që Kosova para këtij samiti ta ketë të shpallur pavarësinë dhe të jetë e njohur nga shumë shtete“. Po ashtu, më 28 mars, në Bërdo afër Kranjit, në Slloveni, do të zhvillohet një takim i rëndësishëm i ministrave të jashtëm të BE-së që pothuajse në tërësi do t’i kushtohet Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës së tij evropiane. Në këtë takim do të analizohet se ku është arritur me zbatimin e agjendës së Selanikut dhe si të vazhdohet me integrimin e vendeve të këtij rajoni në BE. Por, pasi që ky është takimi joformal i ministrave të jashtëm në të parimisht nuk mund të merren vendime të tilla çfare është ai për reagim ndaj pavarësisë së Kosovës. Disa diplomatë kanë përmendur si arsye për shtyrjen e shpalljes së pavarësisë për muajin mars edhe kërcënimin e Serbisë se do të ndërpresë dërgimin e rrymës elektrike për Kosovën, në rast të shpalljes së pavarësisë.
„Marsi është më i ngrohtë se shkurti dhe pasojat për kosovarët në atë rast do të jenë më të vogla», pohojnë ata që mendojnë në këtë mënyrë. Kosovarët në këtë lojë, siç u shpreh një diplomat që foli për “Kohën Ditore” me kusht anonimiteti „janë vetëm aktorë të rëndësishëm, ndërsa regjinë e bënë bashkësia ndërkombëtare me regjisor kryesor Washingtonin“.
Me gjithë fjalët që dëgjojnë nga kosovarët se „E ardhmja e Kosovës është në Evropë“ askush në Bruksel nuk ka iluzion se në rast të ndonjë vizioni të ndryshëm të amerikanëve dhe evropianëve kosovarët do të vepronin sipas sugjerimeve amerikane. BE-ja para shpalljes së pavarësisë do të përgatitë dhe miratojë edhe formalisht vendimin për dërgimin e misionit të ESDP-së në Kosovë. Kjo nuk do të ndodhë këtë të hënë në takimin e ministrave të jashtëm, sepse është rënë dakord që të pritet edhe për këtë përfundimi i zgjedhjeve në Serbi. Por, në BE është konfirmuar se janë bërë përgatitje të tillë saqë ky vendim të mund të merret në çfarëdo niveli e jo doemos në takim të ministrave të jashtëm.
Vendimin formal, pasi në dhjetor për këtë është arritur pajtimi politik i shefave të shteteve të BE-së, do të mund të merrej, për shembull, edhe në nivel të përfaqësuesve të përhershëm të shteteve anëtare në Bruksel edhe në çfarëdo takimi të çfarëdo këshilli të ministrave, qoftë edhe ministra të financave apo bujqësisë, që është normale në praktikën e BE-së.
Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008. Lexoni këto përmbajtje në një vend: