Fejton - KOHA Ditore, 8 janar 2008

Kosovarët dhe serbët nuk mund të jetojnë më në një shtet të përbashkët

Kosovarët dhe serbët nuk mund të jetojnë më në një shtet të përbashkët

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, flet për të kaluarën dhe të ardhmen e Kosovës (KOHA Ditore, 8 janar 2008)

Jansha u ka thënë një grupi të gazetarëve nga Brukseli se çdo përpjekje për të lënë kosovarët dhe Serbinë në një shtet të përbashkët, do të ishte përsëritje e gabimit. Ai është shprehur se pret që statusi i Kosovës, që nuk do të jetë pavarësi totale, do të zgjidhet para përfundimit të Presidencës sllovene

Lubjanë, 7 janar 2008 - Zgjidhja e statusit të Kosovës dhe intensifikimi i integrimit të Ballkanit në BE, janë e vetmja rrugë e stabilizimit afatgjatë të këtij rajoni. Ky është mendimi i kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, prej 1 janarit edhe kryesues i BE-së, të cilin e ka shprehur në një takim me një grup korrespondentësh nga Brukseli, të ftuar për vizitë në kryeqytetin slloven nga Presidenca e BE-së, në mesin e tyre edhe “Koha Ditore”.

Jansha gazetarëve u ka folur jashtëzakonisht gjatë rreth Kosovës dhe ka qenë shumë i gatshëm të shprehë edhe përvojën e tij rreth Kosovës nga ish-Jugosllavia dhe të ardhmes së saj, por edhe për pozicionet e disa liderëve serbë. Duke e quajtur statusin e Kosovës “tregim të papërfunduar”, Jansha ka thënë se zgjidhja e këtij problemi do të jetë prioriteti kryesor i Presidencës sllovene të BE-së. “Kosova është problem evropian dhe pas konsensusit për misionin e ESDP-së, Sllovenia si kryesuese do të punojë në ruajtjen e unitetit të BE-së rreth Kosovës“, ka thënë në këtë takim Jansha. Për zgjidhjen e statusit të Kosovës, numri një i BE-së është shprehur se “zgjidhja duhet të ketë ndikim stabilizues në rajon dhe në të njëjtën kohë të ketë unitet të BEsë rreth saj. Uniteti nuk do të jetë i lehtë, por janë bërë hapat e parë përpara”.

Jansha është shprehur se “Kosova nuk do të ketë pavarësi totale, sepse BE-ja nuk dërgon misione të ESDP-së në vendet që janë plotësisht të pavarura dhe sovrane”. Kryeministri i Sllovenisë ka qenë i qartë edhe në qëndrimin se nuk do të pritet më ndonjë zgjidhje me pajtimin e Prishtinës dhe të Beogradit, sepse, sipas mendimit të tij, më nuk besohet në një mundësi të tillë.

“Pasi që nuk presim që pas të gjitha përpjekjeve që janë bërë të ketë zgjidhje me pajtimin e palëve, përkundër dëshirës sonë, duhet të shkojmë nga zgjidhja që është opsioni i dytë më i mirë”, është shprehur ai. Ai ka shprehur qëndrimin se Sllovenia nuk është e njëanshme në rastin e Kosovës, sepse ka raporte të mira edhe me Prishtinën , edhe me Beogradin, dhe po ashtu ka në të dyja vendet interesa ekonomike.

Dilemat artificiale në Serbi

Kryeministri i Sllovenisë ka thënë se në Serbi pa nevojë dhe pa mbështetje është krijuar një dilemë artificiale „Kosova apo BE-ja“, që në fakt nuk ekziston, sepse, siç është shprehur ai, “BE-ja nuk e ka ndërmend të bëjë tregti rreth Kosovës”. Jansha, megjithatë, është shprehur se duhet pasur parasysh edhe situatën e vështirë në Serbi, dhe ka dhënë një vlerësim të procesit i cili ka sjellë në dallimet e mëdha që sot shihen, për shembull, mes Serbisë dhe Sllovenisë.”Pas rënies së Murit të Berlinit, Sllovenia u nis drejt Evropës, e Serbia, nën Milosheviqin, në drejtim të kundërt”, tha Jansha, duke komentuar edhe deklaratat “e forta” që vijnë nga disa liderë serbë sot.

“Kur dëgjojmë fjalë të tilla të mëdha, duhet të dimë se shpesh në Ballkan janë thënë edhe në të kaluarën fjalë të tilla dhe ato janë harruar shpejt”, ka thënë Jansha dhe u ka shpjeguar gazetarëve se si, në kohën e shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë, kur Sllovenia ishte solidarizuar me të drejtat e njeriut, Serbia nën Milosheviqin kishte shpallur bojkot të mallit slloven, por qytetarët shumë shpejt e kishin harrur këtë dhe kishin filluan përsëri të blinin mallra sllovene. Jansha ka thënë se në dhjetë vjetët e kaluar, nëse shikohet prapa, mund të gjenden shembuj se si shumë zyrtarë serbë kanë premtuar gjithçka, por kjo shpejt është harruar. Ai ka thënë se pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, pas një viti, Serbia do të jetë në një pozicion krejt tjetër. Këtë e tha duke komentuar retorikën e tashme rreth Kosovës në Serbi që, sipas tij, është pjesë e fushatës zgjedhore. “BE-ja është aleati më i madh i Serbisë”, ka thënë Jansha.

Ai, duke folur për kontaktet e shpeshta që ka pasur me politikanë të Serbisë, ka pohuar se nga ta dëgjon se duhet të kenë qëndrime të forta rreth Kosovës për të parandaluar që radikalët dhe nacionalistët të përfitojnë. “Por ne u kemi thënë se nuk mund të luftojnë kundër forcave radikale me programet e njëjta sikur ato të forcave radikale”, ka thënë Jansha, duke shtuar se “zgjidhja e shpejtë e statusit të Kosovës është edhe në favor të kombit serb”. I pyetur në mënyrë direkte rreth kërcënimeve të kryeministrit të Serbisë, Vojislav Koshtunica, ndaj vendeve që do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, Jansha ka thënë se “Koshtunica nuk është i njëjti politikan i fuqishëm në Serbi, por ka edhe të tjerë, disa më të moderuar e disa më pak“.

Bosnjë-Hercegovina, problem më serioz sesa Kosova

Jansha, si njohës i mirë i situatës në rajonin e Ballkanit, ka habitur një numër të gazetarëve nga Brukseli, kur të hënën, në Lubjanë, u ka thënë se mendon se “Bosnjë- Hercegovina është problem më serioz sesa Kosova”. “Për Kosovën pak a shumë është e qartë se çfarë do të ndodhë dhe tash është çështja se si të ndodhë kjo në rrugën më të mirë. Sa i përket Bosnjë-Hercegovinës, duhet të bëhet analiza e asaj që është arritur nga Marrëveshja e Daytonit, sepse nuk mund të lejohet që shteti të mos jetë në gjendje të qeverisë pas gjithë asaj kohe”, ka thënë Jansha, duke shtuar se “megjithatë, Bosnjë-Hercegovina nuk do të jetë prioritet gjatë Presidencës sllovene, por kjo pritet të jetë në pjesën e parë të vitit 2009, nën kryesimin e Republikës Çeke.

Duke folur për Kosovën, Jansha ka thënë se nuk është e domosdoshme të ketë unitet të të gjitha 27 shteteve anëtare për njohjen e menjëhershme kolektive të pavarësisë së Kosovës. Por, ka thënë ai, është me rëndësi që të ketë unitet për miratimin e disa vendimeve rreth Kosovës. “Ata që janë kundër, duhet të propozojnë diçka tjetër, dhe këtu është problemi. Është lehtë të jesh kundër, por pas shumë tentimeve tash ka ardhur koha për zgjidhje”, ka thënë Jansha dhe ka nënvizuar se “zgjidhja e statusit të Kosovës jo vetëm se do të jetë e rëndësishme për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit, por edhe për mbrojtjen e pakicës serbe në Kosovë, dhe do të jetë edhe në interes të tyre“. “BE-ja duhet të jetë e fuqishme dhe unike rreth Kosovës, sepse pritjet do të komplikojnë edhe më shumë situatën”, ka thënë Jansha.

Kosova dhe Serbia nuk mund të mbesin në një shtet të përbashkët

Disa gazetarë e kanë pyetur Janshen sa i ndihmon atij përvoja personale, si person i persekutuar nga ish-regjimi, në punën që do ta bëjë si kryesues i BE-së. Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ai ka përmendur Kosovën dhe ka rikujtuar represionin dhe burgosjen masive të shqiptarëve, që reflektojnë edhe urrejtjen që është mbjellë në raportet mes shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë. Jansha ka treguar se ka qenë në Burgun ushtarak në Lubjanë kur kishte shkruar në mënyrë kritike për Armatën Popullore të ish- Jugosllavisë.

“Në atë kohë, në atë burg këtu në Lubjanë, kemi qenë 40 të burgosur, prej tyre 4 sllovenë dhe më shumë se 30 shqiptarë. Ndaj tyre janë sjellë shumë më keq sesa ndaj nesh. Nuk dua të them se ndaj nesh janë sjellë mirë dhe but, por ndaj shqiptarëve ka pasur keqtrajtime të tmerrshme, nuk u janë dhënë ndihma mjekësore, ka pasur burgosje masive të tyre. Ka qenë një fushatë që ka dëshmuar qëndrimet e regjimit ushtarak në kohën e ndikimit të Milosheviqit. Ka qenë politikë që shqiptarët e Kosovës të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë”, ka thënë Jansha, duke rikujtuar se “pas gjithë asaj që ka ndodhur, Kosova dhe Serbia nuk mund të jetojnë më në një shtet të përbashkët, dhe çdo përpjekje e kundërt do të ishte përsëritje e të njëjtit gabim”. Jansha ka thënë se ka pasur në të kaluarën shumë kontakte edhe me serbë, dhe se kur ishte burgosur nga regjimi, ka pasur mbështetje edhe nga disa serbë. Ai është shprehur se pret zgjidhjen e statusit të Kosovës gjatë Presidencës sllovene të BE-së.


Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008. Lexoni këto përmbajtje në një vend: