Fejton - KOHA Ditore, 3 janar 2008

Kosova - prioritet dhe sfidë kryesore e Presidencës sllovene

Kosova - prioritet dhe sfidë kryesore e Presidencës sllovene

Sllovenia merr kryesimin e Bashkimit Evropian (KOHA Ditore, 3 janar 2008)

Nga Sllovenia pritet shumë rreth statusit të Kosovës pasi që është shtet, i cili, më shumë se vendet e tjera, e njeh problematikën kosovare. Sllovenët thonë se janë të gatshëm të kontribuojnë që të zgjidhet problemi i fundit i hapur që ka mbetur nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë

Lubjanë, 2 janar 2008 - Në verën e hershme të vitit 1991 Sllovenia ishte republika e parë ish- Jugosllave ku tanket e armatës së atëhershme Federative (APJ) kishin dalë në rrugë si reagim ndaj vendosmërisë së Sllovenisë që të pavarësohet. Luftimet ishin shumë të shkurtra, vetëm disa ditë, dhe ato vazhduan me intensitete edhe më të mëdha në Kroaci, Bosnjë e në fund edhe në Kosovë, duke shënuar konfliktin më të përgjakshëm që ka parë Evropa në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.

Sllovenia disi arriti t’i ikte kësaj tragjedie dhe sot është i vetmi vend që ka dalë nga ish-Jugosllavia e që është vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s. Jo vetëm që është vendi më i pasur ndër vendet e reja anëtare, por për nga pasuria për kokë banori ka tejkaluar edhe vendet më të vjetra anëtare si Portugalinë dhe Greqinë. Sllovenia është vendi i parë ish-socialist, i cili merr kryesimin e radhës së BE-së që nga 1 janari i këtij viti të ri. Ajo sot i ka të shlyer kufijtë me Italinë, Austrinë dhe Hungarinë, sepse është edhe në zonën e Shengenit, ndërsa kontrollet e vetme kufitare janë në kufijtë me Kroacinë me të cilën kishte ndarë fatin e jetës në shtetin e përbashkët, Jugosllavinë e dikurshme. Por, Sllovenia tash dëshiron të shfrytëzojë përvojën nga ish-Jugosllavia dhe njohjen e lidhjet që ende ka me vendet që kanë dalë nga ish-shteti i përbashkët për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve të mbetura dhe shpejtimin e rrugës së tyre drejt BE-së.

Kosova dhe Ballkani Perëndimor, pra, do të jenë pa dyshim sfidat më të mëdha të Bashkimit Evropian gjatë Presidencës sllovene. Këtë në paraqitjen e tyre e kanë thënë shumë zyrtarë të Sllovenisë, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm, Dimitrij Rupel, kur kanë paraqitur prioritetet e presidencës së Sllovenisë. Rupel ka thënë se pret që procesi i caktimit të statusit të Kosovës të përmbyllet para përfundimit të Presidencës sllovene, pra para fundit të muajit qershor.

“Është koha që të zgjidhen problemet e mbetura në Ballkan, të cilat kishin filluar që kur Milosheviqi kishte sulmuar Slloveninë“, ka thënë Rupel në Bruksel. Duke sqaruar se Kosova është rast i veçantë, ai tha se disa kur diskutojnë për Kosovën kanë mungesë të kuptimit të situatës dhe historisë së problemit. Ai rikujtoi se Milosheviqi i kishte hequr Kosovës autonominë dhe prej atëherë Kosova është pa status, praktikisht.

“Kosova praktikisht ka qenë 80 për qind me status të Republikës. 20 për qind ndoshta ka pasur dallim mes statusit të Republikave dhe Krahinave autonome në ish- Jugosllavi“, ka thënë Rupel, duke u munduar të shpjegonte disa elemente që e bëjnë Kosovën si të ndryshme nga rastet e tjera.

Rupel tha se tash, kur do të bëhen 16 vjet nga njohja e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë, pritet të zgjidhet edhe statusi i Kosovës që është problem, para së gjithash, evropian. I pyetur rreth datës së pavarësisë së Kosovës, ai tha se „nuk ka ide për këtë“, por shtoi se BE-ja është e gatshme të pranojë realitetin. Ai paralajmëroi se Sllovenia, si kryesuese e radhës, do të punojë që të arrihen konsensusi dhe uniteti në BE.

“Nuk jam i sigurt se do të kemi të gjithë të njëjtin qëndrim, por do të punojmë që ta arrijmë konsensusin“, u kishte thënë Rupel gazetarëve në Bruksel në fund të vitit të kaluar kur fliste për prioritetet që e presin Slloveninë si kryesuese të radhës të BE-së. Në disa raste ai mbrojti planin e Ahtisaarit si rrugën më të mirë për të ndjekur për caktimin e statusit të Kosovës.

“Nuk di ndonjë plan tjetër, pos atij të Ahtisaarit, që është i përpunuar dhe i sofistikuar. Sa u përket veprimeve të ardhshme, mendoj se fjala koordinim është kyçe“, pat thënë Rupel, i cili prej 1 janarit është kryesues i Këshillit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian. Duke folur për rëndësinë e vendimit që shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së kishin marrë në samitin e fundit në Bruksel për dërgimin e misionit të BE-së në Kosovë, Rupel pat thënë se ky vendim ishte i rëndësisë së veçantë dhe nuk ishte vetëm vendim teknik. Ai paralajmëroi se do të bëhet një “plan veprimi“ për vendosjen e misionit të BE-së në Kosovë.

Duke iu përgjigjur disa vërejtje që disa vende të BE-së, si Qiproja dhe Rumania, i kanë dhënë rreth asaj se a është Rezoluta 1244 bazë e mjaftueshme për misionin e BE-së në Kosovë, Rupel ka thënë se “mund të ketë komplikime, por ato nuk kanë të bëjnë aq shumë me Kosovën sa kanë të bëjnë me problemet e brendshme të disa vendeve dhe me moskuptimin e rastit të veçantë që është Kosova“. Sipas ministrit të Jashtëm të Sllovenisë, ky vend gjatë kryesimit të vet me BE-në do të bëjë çmos për ta afruar Ballkanin në Bashkimin Evropian.

Pos Kosovës të cilës do t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë, do të përpiqen të ndihmojnë edhe vendet e tjera si Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Rupel paralajmëroi se gjatë Presidencës sllovene do të bëhet një analizë e arritjeve të agjendës së Selanikut, me të cilët të gjitha vendeve të Ballkanit u ishte premtuar mundësia e integrimit në BE. Sa i përket Serbisë, ministri i Jashtëm slloven tha se do të orvaten të bashkëpunojnë me Serbinë, por në të njëjtën kohë të mos ndikojnë në proceset politike të brendshme në Serbi ku përsëri do të zhvillohen zgjedhjet.

Rupel tha se Sllovenia do të angazhohet që sa më shpejt që të jetë e mundur të nënshkruhet Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Serbisë dhe pastaj të shkohet drejt dhënies së statusit të kandidatit për Serbinë, që mund të pasojë edhe për vendet të tjera. Kështu, nga Sllovenia pritet shumë rreth statusit të Kosovës, pasi që është shtet i cili më shumë se vendet e tjera e njeh problematikën e Kosovës. Sllovenët thonë se janë të gatshëm të kontribuojnë që të zgjidhet problemi i fundit i hapur që ka mbetur nga procesi i shpërbërjes së ish- Jugosllavisë.

Disa zyrtarë Sllovenë u kanë thënë shumë kolegëve të tyre se Sllovenia do të luajë rolin koordinues në BE, duke mos nxituar, por se qëndrimi i saj nacional është pa dyshim i qartë në favor të pavarësisë së Kosovës.

“Ne që për vete kemi arritur pavarësinë dhe tash jemi në BE nuk mund t’u themi kosovarëve se ata nuk kanë të drejtë të jenë të pavarur“, citohen diplomatët sllovenë t’u kenë thënë kolegëve të tyre. Por, puna e Sllovenisë në arritjen e mbështetjes së shumicës së madhe të shteteve të BE-së për pavarësi të Kosovës, nëse jo edhe mbështetjen e njëzëshme, do të jetë më e lehtë për shkakun se ka pajtim mes katër shteteve të mëdha: Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë. Madje, disa diplomatë, kur kujtojnë hamendjet e BE-së për të njohur pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë në fund të vitit 1991 dhe fillimin e vitit 1992 ,thonë se “tash për pavarësinë e Kosovës ka më shumë mbështetje sesa që atëherë kishte për njohjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë“.

Sllovenia dëshiron të punojë që të shmangen ndarjet brenda BE-së rreth pavarësisë së Kosovës çfarë kishin ekzistuar në fillim të procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Atëherë Gjermania ishte agresive në kërkesat për njohjen e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë, ndërsa Franca dhe Britania e Madhe ishin kundër. Tash rreth Kosovës gjërat kanë ndryshuar dhe Britania e Madhe dhe Franca janë në krye të vendeve që mbështesin pavarësinë e me këtë qëndrim pajtohen më shumë se 22 vende të BE-së. Kjo disi do t’ia lehtësojë punën Sllovenisë, ndonëse nuk do të jetë punë e lehtë.


Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008. Lexoni këto përmbajtje në një vend: