Ministrat e BE-së më në fund miratuan konkluzat për Kosovën (KOHA Ditore, 19 shkurt 2008)
22 shtete të BE-së mbështesin pavarësinë, 17 e njohin “së shpejti”, disa presin, ndërsa 5 nuk do ta njohin. Por, BE-ja thotë se e “kaloi testin e unitetit për Kosovën”
Bruksel, 18 shkurt 2008 - Shumica e shteteve të Bashkimit Evropian, të hënën në Bruksel, një ditë pas shpalljes së pavarësisë, bënë të qartë se mbështesin këtë pavarësi dhe njohjen e saj. Kjo u bë e qartë në mbrëmje, pas takimit të ministrave të jashtëm në Bruksel, kur edhe u analizuan prononcimet e ministrave të vendeve anëtare. Kështu doli se një numër i vogël i shteteve nuk duan ta njohin pavarësinë e Kosovës - Qiproja, Rumania dhe Spanja - pastaj Greqia dhe Sllovakia nuk mund ta bëjnë këtë njohje dhe do të shqyrtojnë qëndrimet brenda 120 ditëve. Të gjitha shtetet e tjera mbështesin pavarësinë e Kosovës, por kanë procedura dhe tradita të ndryshme për njohjen e saj, prandaj edhe dallojnë në kohën se kur munden dhe duan ta bëjnë njohjen.
Megjithatë, ishte një përfundim i suksesshëm i një dite që dukej se do të sillte dramë në BE rreth Kosovës. Ishte ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Moratinos, i cili para se të niste takimi deklaroi se “Spanja nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse ajo është e shpallur në mënyrë unilaterale, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”. Kjo la përshtypjen se brenda në takim do të ketë përplasje të madhe. Dhe u deshën të kalojnë disa orë derisa nuk u dakordua teksti i konkluzave për Kosovën. Kishte dy propozime. Njëri ishte ai i Presidencës sllovene të BE-së, ndërsa tjetri i paraqitur nga Spanja. Në shikim të parë dukej sikur të mos kishte dallime të mëdha, por edhe dallimi më i vogël që dukej ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në fakt, në propozimin e Sllovenisë, të mbështetur nga shumica e vendeve të BE-së, thuhej se „në linjë me këto zhvillime Këshilli merr në dijeni se shtetet anëtare munden prandaj të vendosin në përputhje me praktikën nacionale dhe normat ligjore, raportet e tyre me Kosovën si një shtet të pavarur nën mbikëqyrje ndërkombëtare“. Pra, sugjerimi për të njohur Kosovën si shtet të pavarur ishte shumë i qartë, prandaj Spanja dëshironte ndryshimin. Në fund, në konkluzat të cilat edhe u miratuan, si kompromis u tha se “më 17 shkurt, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën e cila e ka shpallur Kosovën si vend të pavarur. Këshilli merr në dijeni se kjo rezolutë e obligon Kosovën në principet e demokracisë dhe të barazisë së qytetarëve të saj, mbrojtjen e serbëve dhe pakicave të tjera, mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare, si dhe mbikëqyrjen ndërkombëtare“.
Pastaj sa i përket njohjes thuhet se “Këshilli merr në dijeni se vendet anëtare do të vendosin, në përputhje me praktikën nacionale dhe të drejtën ndërkombëtare, për raportet e tyre me Kosovën”. Presidenca sllovene e BE-së e sheh edhe këtë deklaratë si “dëshmi të suksesit në ruajtjen e unitetit të BE-së”. Po ashtu, si sukses në këtë deklaratë konsiderohet edhe mbështetja për misionin e BE-së në Kosovë dhe përdorimi i instrumenteve të Bashkimit Evropian për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës. Por ajo që është më e rëndësishmja në këtë moment, edhe ky formulim i konkluzave për Kosovën ua mundëson vendeve anëtare të cilat kanë qëndrimin politik për ta njohur Kosovën që këtë ta bëjnë, ndërsa atyre që nuk duan të mos jenë nën presion. Franca dhe Britania e Madhe thyejnë akullin e njohjes së pavarësisë Sapo kalonte dita e hënë rritej nervozizmi në pritje që ndonjë shtet ta njihte Kosovën sa më parë.
Diplomatët që më herët kishin thënë se shtetet kryesore do ta njohin Kosovën që të hënë, dhe në mesin e tyre kishin përmendur Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Por nga Berlini ishte transmetuar deklarata e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila kishte thënë se ”njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është sot në rend dite“.
Kështu, diplomatët filluan të përkujtojnë se „Gjermania nuk do të jetë e para ndër të parët, sepse vuan nga i ashtuquajturi sindromi i Kroacisë” (kur Gjermania në fillim të viteve nëntëdhjetë kishte bërë presion për njohjen e pavarësisë së Kroacisë që nuk ishte pëlqyer aq shumë pas bashkimit të Gjermanisë). Megjithatë, ishin Franca dhe Britania e Madhe që në orët e pasdites thyen akullin. Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, konfirmoi se Franca ka marrë vendim që ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa presidenti Nicolas Sarkozy do t’i niste pas pak çastesh letër presidentit Fatmir Sejdiu për njohjen e pavarësisë. Në të njëjtën kohë, kolegu i tij britanik, David Milliband, në një sallë tjetër në selinë e BEsë në Bruksel konfirmoi se edhe kabineti qeveritar në Londër ka marrë vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se Milliband ka letrën e nënshkruar të cilën do ta niste për në Prishtinë.
Kështu, Franca dhe Britania e Madhe konsiderohen si vendet e para të BE-së që edhe formalisht njohën pavarësinë e Kosovës. Italia bëri të qartë, përmes ministrit të Jashtëm, Massimo D’Alema, se po ashtu njeh pavarësinë e Kosovës, por vendimi do të konfirmohet formalisht nga qeveria dhe do të vihet në dijeni Parlamenti pas dy ditësh.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank- Walter Steinmaier, po ashtu konfirmoi se ka biseduar me kancelaren Merkel dhe se edhe Gjermania e ka “qëllimin“ për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo do të bëhet përmes procedurës së dhënies së pëlqimit nga ana e kabinetit qeveritar të mërkurën, i cili do ta autorizojë presidentin e Gjermanisë që t’i dërgojë letër presidentit të Kosovës për njohjen e pavarësisë së saj. Kështu u konfirmua mbështetja e katër shteteve kryesore dhe pas kësaj pasuan edhe vendet e tjera. Pasi që ka dallime në procedura, disa shtete do ta bëjnë njohjen për disa ditë, ndërsa për disa do të ketë nevojë të kalojnë edhe disa javë.
Kështu Austria, Belgjika, Polonia dhe Danimarka do ta bëjnë njohjen të mërkurën dhe të enjten. Në Belgjikë, Ministria e Jashtme ka kërkuar që mbreti i Belgjikës ta nënshkruajë dekretin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Austria në mbledhje të qeverisë, të mërkurën, do të autorizojë ministren e Jashtme, Ursula Plassnik, që t’i dërgojë letër Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike që ka fuqinë e njohjes formale. Njëlloj pritet të veprojë edhe Danimarka. Tri vendet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – po ashtu e mbështesin pavarësinë e Kosovës, por si shenjë e “mirësjelljes“, edhe pse nuk është obligim, qeveritë e tyre do të njoftojnë për këtë parlamentet përkatëse.
Shtetet si Republika Çeke dhe Bullgaria janë shprehur se do të njohin pavarësinë e Kosovës, por do të presin disa javë për të parë se si do të sillen autoritetet e Kosovës. Holanda po ashtu do ta njehë pavarësinë e Kosovës, por këtë nuk do ta bëjë para se Kosova ta miratojë Kushtetutën. Edhe Portugalia dhe Malta do të presin me njohje, por janë në favor të njohjes.
Sllovenia ka një procedurë të komplikuar dhe atje pritet që të enjten qeveria të iniciojë në Parlament procedurën e njohjes së pavarësisë. Dhe, më pas, mbeten vendet që janë kundër njohjes dhe ato nuk janë shumë.
Të hënën, kundër njohjes janë shprehur Spanja, Qiproja dhe Rumania. Sllovakia ka thënë se ”në këtë moment nuk sheh mundësi ta njohë pavarësinë e Kosovës”, por ka shtuar se „do ta shqyrtojë qëndrimin e saj brenda 120 ditësh“.
Greqia po ashtu në këtë moment thotë se nuk do ta njehë pavarësinë e Kosovës. Sido që të jetë, BE-ja e konsideron edhe këtë që është arritur si një sukses dhe diçka që edhe ishte e pritur.