EXPRESS

Teatër Opere 50 milionë eurosh

Pa u bërë një muaj prej kur shkaku i shkeljeve të Ministrisë së Kulturës dështoi thirrja publike për Teatër të Operës dhe Baletit, ky institucion ka rihapur thirrjen për projektimin e kësaj ndërtese. Thirrjes për projekt ideor dhe të hollësishëm për investim më të madh kapital në kulturë që shteti synon, MKRS-ja kësaj radhe ia ka shtuar edhe një detaj të rëndësishëm: shumën prej 50 milionë eurosh. Ndërtesa pritet të zërë vend prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Në thirrje qartësohet se projektuesit duhet të llogarisin që të përgatisin projekt për të cilin shteti synon ta investojë këtë shumë. Përderisa për institucionet rihapja e tenderit është lajm i mirë, një prej pjesëmarrësve në konkursin e kaluar ka kritikuar qasjen e MKRS-së.

Arkitekti Bekim Ramku ka pasur kritika ndaj MKRS-në. Ai së bashku me bashkëpunëtorë ndërkombëtarë kishte aplikuar në konkursin e kaluar. Kishte zënë vendin e tretë. Ka thënë se pas një procesi të stërzgjatur e të diskredituar është për çudi se si MKRS-ja vendos ta rishpallë këtë tender. Sipas tij si në procedurëhn paraprake edhe në këtë procedurë MKRS-ja ka tendencë korruptive. Afati i dorëzimit të projekteve që në këtë rast ëhstë 40 ditë, sipas tij tregon qartazi për joseriozitetin e konkursit.

“Ato të japin indikacione që ose ka pausur lëshime për koerrpsion ose gatishmëti për diçka të tillë. Nuk mund të besoj që janë aq të paditur zyra e prokurimit dhe gjithë ai staf që punon aty për të menaxhuar kaq keq një proces”.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se bëhet fjalë për një hap premtues. Sipas Jasharit, përmendja e shumës që planifikohet të investohet tregon se qëllimi është te një ndërtesë shumë komode.

Ministria e Kulturës ka planifikuar që ky konkurs të rrumbullakohet me kosto prej 2.5 milionë eurosh. Kaq qenë paraparë në Ligjin e Buxhetit të vitit 2023. Sivjet janë paraparë 2.7 milionë.

Më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar, por pa epilog. Më 2 dhjetor të 2009-s ishte vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik, ku planifikohej të ndërtohej teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Prej asaj kohe deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro për hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve.