EXPRESS

Panairi i Librit të Rrallë, bashkon botimet prej shekullit të 19-të

Mijëra libra të vjetër, prej tyre dhe botime të rralla, për tri ditë janë në dispozicion të lexuesve. Dhjetë koleksionistë në sheshin “Zahit Pajaziti” në kryeqytet janë bërë bashkë në “Panairin e librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur”. Edicioni i katërt i kësaj ngjarjeje ofron botime të ish-shtëpisë botuese “Rilindja” të Prishtinës, asaj “Naim Frashëri” të Tiranës e disa ndërmarrjeve të tjera ku botoheshin librat shqip. Por koleksionuesit shkojnë edhe përtej tyre.

Prej librave më të vjetër në Panair janë tre fjalorë të përpiluar nga Sami Frashëri. Bëhet fjalë për botimin e parë, të tretë dhe të katër të Fjalorit frëngjisht-osmanisht. Përkatësisht për fjalorë të botuar në vitet 1882, 1901, 1905. Botimet pasuese dallojnë prej të parit pasi janë më të plotësuara.

Koleksionuesi Fitim Kameri i ruan me xhelozi. Është i kujdesshëm edhe kur i duhet t’i shfletojë.

Shtandet ofrojnë një mozaik të librave në gjuhë të ndryshme, prej shqipes, atyre të rajonit e deri te ajo angleze. Mesditën e së martës është parë të këtë interesim për librat e vjetër. Kryeqyteti nuk ka ndonjë librari të librit të vjetër. Botimet të këtij lloji mund të shihen vetëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.