Euro 2024

Gjermania synon titullin derisa tifozët bëhen gati për festë futbolli

Gjermania

Gjermania është e gatshme të fillojë sulmin për titullin e parë të madh pas një dekade. Nikoqirja e “Euro 2024” e luan ndeshjen hapëse të ngjarjes madhore. Përballet me Skocinë të premten, prej orës 21:00, në Munih. Shpresat janë të mëdha që Evropiani të jetë festë njëmujore.

Gjermania ka katër tituj të botës dhe tre tituj të Evropës. Por, reputacioni i saj është goditur prejse fitoi Kupën e Botës në Brazil në vitin 2014.

Gjermania u eliminua në fazën grupore në dy Botërorët e kaluar, ndërsa në Evropianin e fundit u ndal në një të tetën e finales.

Si organizatorë të “Euro 2024”, tifozët gjermanë do të jenë të kënaqur vetëm nëse e fitojnë titullin e kampionit.

Me gjithë dëshpërimin në Botërorin 2022, një serie të rezultateve të tmerrshme dhe ndryshimit të trajnerit, gjermanët ende synojnë titullin e madh.

Trajneri Julian Nagelsmann e bëri këtë të qartë. Ai është në krye të përfaqësueses nga tetori i vitit të kaluar.

“Duam ta fitojmë”, ka thënë 36-vjeçari. Gjermania takohet edhe me Hungarinë dhe Zvicrën në kuadër të Grupit A.

“Është gjëja e njëjtë në secilin turne. Tashmë pritet që ne të paraqitemi më mirë se në vitet e kaluara. Dhe tifozët tanë janë të entuziazmuar që e organizojmë turneun në shtëpinë tonë. Ndoshta nuk është gjëja më e mirë për ne të themi se pretendojmë të bëhemi kampionë të Evropës. Por, ne do të përballemi me këtë. Është synim i madh, do të jetë sfiduese”, ka shtuar selektori gjerman.

Ai llogarit në lojtarë shumë të talentuar si Jamal Musiala e Florian Wirtz, por edhe në veteranë, si fituesit e Kupës së Botës 2014, Manuel Neuer, Thomas Mueller e Toni Kroos.

Mbetet çështje aftësia e shënimit të golave. Kai Havertz, që është larg të jetë një nëntëshe natyrale, është zgjedhja e parë për sulmin. Niclas Fuellkrug do të jetë në stol.

Gjermania duhet të shfaqë ambiciet që në ndeshjen ndaj skocezëve që luajnë në dy Evropianë rresht për herë të parë që nga viti 1996. Skocia është autsajdere, por shpreson në befasi që do ta ndihmonte të kalonte grupin për herë të parë në 11 paraqitje në turne të mëdhenj.

“Kjo skuadër ishte fantastike për mua dhe fantastike për vendin e tyre. Dhe, tani kam shansin të shkruaj pak histori. Le të shohim nëse mund ta bëjmë këtë”, ka thënë trajneri Steve Clarke.

“Na duhet paraqitje e nivelit më të lartë ndaj ekipeve të mira dhe që të luajmë në maksimum në të tri ndeshjet në grup”.

Skocia përballet me lëndimin e disa lojtarëve të rëndësishëm. Por, në përbërje ka mjaft cilësi dhe emra të njohur.

Ndërsa “Euro 2024” është gati për të filluar, Gjermania llogarit në një valë entuziazmi nga tifozët e saj dhe nga rreth 2.7 milionë vizitorë për ngjarjen që mbahet deri më 14 korrik. Zona të mëdha tifozësh janë krijuar në të gjitha qytetet e mëdha. Në Berlin për tifozët është planifikuar një hapësirë masive, që shtrihet nga porta ikonike e Brandenburgut deri në perëndim të qytetit.

Zonat e tifozëve ishin sukses i jashtëzakonshëm gjatë Kupës së Botës në vitin 2006, duke ndihmuar në nxitjen e atmosferës festive gjatë atij turneu. Disa e kishin quajtur “përrallë të verës”.

Kushtet dallojnë këtë herë, derisa siguria është brenga kryesore. Mijëra policë do të jenë të angazhuar për të evituar kërcënimet e mundshme që vijnë nga palë të ndryshme.

Në kampin gjerman megjithatë ka shpresë se do të ketë atmosferë të mirë, me sigurinë në mendje.

“Tifozët e përfaqësueseve të tjera duhet të marrin pjesë po ashtu, të kthejmë rrugët në zona të mëdha festash paqësore, ku ekipet evropiane mund të festojnë futbollin së bashku. Shpresojmë të shohim shumë ndeshje të mira”, ka theksuar selektori gjerman Nagelsmann.