Franca thuajse e ka të sigurt kalimin në një të tetën e finales në Euro 2024. Por në kampin francez shpresojnë në rikthimin e Kylian Mbappes dhe që t’u kthehen golave kur të përballen me Poloninë në ndeshjen e fundit në grup, të martën.
Ndeshja e Grupit D në mes të Francës dhe Polonisë luhet në Dortmund nga ora 18:00.
Një nga favoritet kryesore të Evropianit, Franca, ka katër pikë nga dy ndeshjet e para. Por ka shënuar vetëm një gol. Në fakt ishte autogol i austriakut, Maximilian Wober.
Autogoli tij i dha Francës fitoren 1:0 kundër Austrisë, në ndeshjen hapëse në, Duesseldorf para se të barazonte pa gola ndaj Holandës të premten në Leipzig. Transferimi më i ri i Real Madridit, Mbappe, nuk luajti luajti asnjë minutë kundër holandezëve pasi po rikuperohet nga thyerja e hundës që e pësoi në ndeshjen ndaj Austrisë.
Ai do të duhet të mbaj maskë mbrojtëse mbi hundë kur të paraqitet në fushë. Mbappe u stërvit në kampin francez në Paderborn dhe shokët e tij të skuadrës janë optimist se kapiteni do të paraqitet kundër polakëve.
Edhe trajneri i Francës, Didier Deschamps, pret kthimin e Mbappes.
“Nuk do t’ua fsheh se ai dëshiron të luajë, as se donte të luante edhe kundër Holandës. Është më mirë. Ai po përmirësohet”, ka thënë Deschamps para gazetarëve të hënën.
Ai ka dhënë përshtypjet e tij edhe për sulmuesin e Polonisë, Robert Lewandowski. Ka thënë se ndaj Lewandowskit duhet të kesh gjithmonë kujdes.
Sulmuesi 35-vjeçar shpreson të startojë pas kthimit nga lëndimi si zëvendësues kundër Austrisë. Polonia tashmë është pa gjasa për kalim në fazën nokaut.
Të martën prej orës 18:00 në Berlin luhet ndeshja tjetër e Grupit D në mes të Holandës dhe Austrisë.
Selektori i Austrisë, Ralf Rangnick pret lojë agresive nga holandezët, por ai e di se si të përgatitet.
“Ndihem sikur Holanda ka luajtur në të njëjtën mënyrë që nga ditët e legjendës, Johan Cruyff. Kush do të fitoj topin e dytë do të jetë vendimtare”, ka thënë Rangnick.
Trajneri holandez Ronald Koeman premton lojë sulmuese ndaj austriakëve.
“Ne do të përpiqemi të luajmë gjithmonë në sulm. Ne duam të jemi kreativë. Nuk do të ketë lojë të mërzitshme”, ka thënë Koeman.
Holanda udhëheq në grup me 4 pikë. Austria është e treta me tri pikë.