Valon Behrami e ka vlerësuar lart paraqitjen e Zvicrës ndaj Gjermanisë, përkundër barazimit 1:1. Në kolumnen e tij të rregullt për gazetën zvicerane “20 Minuten”, Behrami ka shkruar në superlativ për helvetikët.
Ai ka luajtur gjatë për Zvicrën dhe me sukses të madh. Mendimet e Behramit ende kanë ndikim në skenën zvicerane të futbollit.
"Zvicra për 99 për qind të kohës bëri ndeshje të përkryer ndaj Gjermanisë. Një përqind i mjafton një top-përfaqësueseje si Gjermania që të largohet me barazim. Shumë prej tifozëve e lojtarëve mund ta kenë ndier si humbje menjëherë pas fundit të ndeshjes, por nuk ka asnjë arsye për dëshpërim nga vendi i dytë në grup”, ka shkruar Behrami.
Zvicra në fazën nokaut paraqitet si e dyta e Grupit A. Grupin e ka fituar Gjermania, falë golit në minutat shtesë.
Sipas mesfushorit të dikurshëm defanziv, Zvicra në shumë aspekte ishte e jashtëzakonshme.
“Mbrojtja e përbërë nga Manuel Akanji, Ricardo Rodriguez dhe Fabian Schar ka bërë punë të shkëlqyer dhe thuajse pa gabime. Presioni ishte i nivelit më të lartë botërorë, për kohë të gjatë. Gjermanët kishin topin, por Zvicra ndali të gjitha lëvizjet e rrezikshme. Plani me Riderin në përbërjen bazë, që e mbajti Toni Kroosin të zënë për kohë të gjatë ka funksionuar në mënyrë të përkryer”, ka vazhduar shkrimin Behrami.
Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka ndryshuar formacionin në tri ndeshjet e deritashme. Dhe gjithnjë është vlerësuar lartë për vendimet taktike.
“Kjo do t’u sjellë kundërshtarëve kokëdhembje të mëdha. Pavarësisht se kush do të jetë kundërshtari ynë në një të tetën e finales, jam i bindur se askush nuk dëshiron të luaj ndaj nesh. Nuk duhet t’i frikësohemi asnjë kundërshtari. Të gjithë tani kanë edhe më shumë respekt për ne. Ekipi nacional kishte tri strategji plotësisht të ndryshme në ndeshjet ndaj Hungarisë, Skocisë dhe Gjermanisë”.
Behrami thotë se Zvicra është ekipi më i paparashikueshëm në Evropian për trajnerët e ekipeve rivale. Sipas tij, është e vështirë të përgatitesh për ndeshjen ndaj Zvicrën, pasi thjeshtë nuk e di se si do të luaj ajo.
“Ky është kualitet i ri dhe rrallë është parë më herët në histori të ekipit nacional të Zvicrës. Taktikisht i paparashikueshëm dhe i mbushur me vetëbesim. Si lojtar mund t’u them se pas një ndeshjeje si kjo me Gjermaninë secili fle mirë. Kur e di se mund të luash lojë të tillë ndaj ekipit më të mirë të turneut, e di që çdo gjë është e mundur”, shkruan Behrami.
Lideri Xhaka vlerëson “mentalitetin e ndryshuar” të Zvicrës
Frankfurt, 24 qershor – Ishte thuajse mesnata kur Granit Xhaka u shfaq. Kapiteni i Zvicrës nuk ishte shumë i brengosur për barazimin e vonshëm të Gjermanisë.
“Festa e Gjermanisë pas barazimit 1:1 i tregon të gjitha. Ajo që arritëm sot meriton shumë respekt”, tha Xhaka, shkruan “Blick” të hënën.
Zvicra udhëhoqi 1:0 për kohë të gjatë, ndërsa kishte rast edhe për 2:0. Por pësoi gol në minutat shtesë.
“Ekipi është i uritur dhe ka mentalitet plotësisht tjetër”, vazhdoi kapiteni i Zvicrës.
Nuk krahasohet me vjeshtën e kaluar, kur Zvicra kishte telashe në kualifikime dhe pozita e selektorit Murat Yakin ishte e rrezikuar pas vetëm një fitoreje në shtatë ndeshje.
“E kemi ditur se nuk ishte e mjaftueshme, që duhet të punojmë më shumë, të rrisim intensitetin he kualitetin”, ka thënë Xhaka.
Zvicra synon të prezantojë qasjen e re në ndeshjen e një të tetës së finales, të shtunën në Berlin.
Xhaka u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes me Gjermaninë. Më i miri ishte shpallur edhe ndaj Hungarisë.
“Hapin e parë e kemi bërë dhe tani duam më shumë”, ka thënë Granit Xhaka, lideri i mesfushës së Zvicrës.
Me barazimin është ndarë i kënaqur edhe selektori Yakin. Ai po vlerësohet shumë lartë tashmë.
“Kemi mundur të fitojmë, por presioni ishte shumë i maddh. E pranojmë edhe barazimin”, ka thënë Yakin. Ai ka vlerësuar se lojtarët u janë përmbajtur kërkesave taktike, kanë vrapuar shumë dhe kanë befasuar kundërshtarin me lojën në tranzicion.
“Jam i lumtur me mënyrën se si luajmë. Strategjia dhe sistemin po funksionon. Duam të mbetemi autsajderë dhe modestë”, ka thënë Yakin.