Katër ditë para ndeshjes ndaj Italisë, fokusi te Kombëtarja e Shqipërisë në futboll është maksimal. Të martën kuqezinjtë kanë pasur vetëm një stërvitje në kompleksin sportiv Kaiserau në Kamen të Gjermanisë. Tashmë i gjithë programi stërvitor është i orientuar për ta përballuar me sukses kampionen në fuqi të Evropës, Italinë.
Ndeshja Itali – Shqipëri zhvillohet të shtunën nga ora 21:00 në “BVB Stadion” në Dortmund.
Përkrahja për Shqipërinë pritet të jetë e madhe, por edhe “azurët” do t’i kenë tifozët e tyre. Italia është shumë e njohur për Shqipërinë, sidomos për lojtarët që luajnë e kanë luajtur më parë në Serie A. Por fakti se shumë lojtarë të Shqipërisë janë në Serie A, bën të kuptohet që edhe kuqezinjtë janë shumë të njohur për Italinë.
Arlind Ajeti është njëri prej lojtarëve të Shqipërisë me të kaluar në Itali. Ajeti konkuron për pozitën e mbrojtësit të qendrës, por nuk është e sigurt që do të startojë. Kapiteni Berat Gjimshiti është i padiskutueshëm, ndërsa përkrah tij me shumë mundësi do të jetë Ardian Ismajli. Por edhe Ajeti është kandidat i fortë.
Evropiani në Gjermani është i dyti për mbrojtësin e Clujit rumun.
“Kemi analizuar gjithë ekipin e Italisë. Në ditët e ardhshme do të specifikojmë edhe lojtarët individualë. Ne duhet të përgatitemi për çdo sulmues. Gianluca Scamaccan e pamë në Ligën e Evropës. Është shumë i rrezikshëm. Duhet të shohim edhe të tjerët se nuk luan vetëm një lojtar”, ka thënë Ajeti të martën në konferencë për shtyp.
Sipas Ajetit, secili lojtar e ka ëndërr të paraqitet në Evropian. Ai thotë se gjithë të përzgjedhurit janë me fat që marrin pjesë në këtë ngjarje dhe duhet të japin maksimumin.
Në grup me Shqipërinë janë edhe Spanja e Kroacia. Shqipëria vlerësohet autsajdere. Ajeti e pranon se do të jetë i vështirë kalimi i grupit, por shpreson që kuqezinjtë në Gjermani të bëjnë diçka të veçantë.
Ajeti ka përsëritur se Kombëtarja nuk duhet të fokusohet vetëm te një lojtar i Italisë. Ka theksuar se të gjithë lojtarët e Italisë janë shumë të fortë.
Kombëtarja është pritur shumë ngrohtë në Gjermani dhe dashuria që kanë ofruar tifozët ka ndikimin e vet te lojtarët.
“Kur e sheh si na pritën tifozët, në ndeshje dhe në stërvitje, kjo na motivon më shumë. Shpresoj dhe jam i sigurt që do të na mbështesin edhe në këto ndeshje në Evropian. Gjithmonë i kemi pasur tifozët pranë, na kanë dhënë shumë forcë në fushë. Ky është një nga motivet pse kemi ardhur deri këtu”, ka shtuar Ajeti.
Italia mungoi në dy Botërorët e fundit, por fitoi Evropianin e vitit 2021. Në miqësoret e qershorit fillimisht luajti pa gola me Turqinë e më pas fitoi 1:0 ndaj Bosnjë-Hercegovinës.
Shqipëria fitoi me Lihtenshtajnin dhe Azbajxhanin. Testin e vërtetë e ka të shtunën mbrëma në Dortmund. Por ndeshja do të jetë test edhe për Italinë.