Interpretime të ndryshme i kanë bërë vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me daljen në treg të hapur të energjisë, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, në një konferencë për media ka kërkuar që ZRRE-ja të respektojë vendimin e Supremes, duke thënë se ai është i formës së prerë dhe se e kthen në pikën zero daljen në treg të hapur të energjisë. Por, ZRRE-ja në anën tjetër, ka thënë se Supremja e ka hedhur poshtë kërkesën për shfuqizim të njoftimit të saj për dalje në treg të hapur të energjisë.
Kjo gjykatë ka aprovuar padinë e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke i shfuqizuar nenin 8 të Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike nga janari 2017 dhe nenin 2 të Udhëzuesit për ndryshimin dhe plotësimin e këtij udhëzuesi.
Gjykata ka vlerësuar se kategorizimi i konsumatorëve në aktet nënligjore nuk është i mbështetur me përkufizime juridike apo ekonomike, gjë që ka krijuar konfuzion në praktikë për shumë biznese.
Ndërkohë, Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e paditëses për shfuqizimin e Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë dhe për detyrimin e KESCO-së për korrigjimin e faturave dhe shfuqizimin e kontratave pas 1 qershorit 2025.
Rafuna në konferencën e së martës ka thënë se procesi për dalje në treg të hapur të energjisë është kthyer në pikën zero.
“Në kushte normale situata është kthyer në pikën zero, pasi në momentin që Gjykata i ka anuluar ato dy nene çështja e tregut të lirë është kthyer në pikën zero, tani ZRRE-ja është dashur që ta njoftojë KEDS-in dhe t’i kthej në çmimin e rregulluar të gjitha këto 1,300 biznese që i ka detyruar që të dalin në tregun e lirë dhe duhet të ulet dhe të krijojë bazën e qartë ligjore dhe bashkëpunim me ne ta caktojë një datë të caktuar se kur do të dalim në tregun e lirë që të përmbushin kushtin e sigurisë juridike dhe atë të sigurisë ekonomike”, ka thënë Rafuna.
Ai ka deklaruar se dalja në treg të hapur të energjisë i ka dëmtuar rëndë ekonominë, bizneset dhe qytetarët e Kosovës.
Rafuna ka theksuar se nuk është kundër dalje në treg të hapur por duhet të bëhet një diskutim.
“ZRRE duhet të ulet bashkë me sektorin privat në mënyrë që të caktohet kur të dalim në tregun e lirë. Në aspektin ekonomik ZRRE me interpretimin që ka bërë ka shkaktuar dëm të madh sektorit privat dhe ekonomisë së vendit. Në aspektin ekonomik ZRRE me interpretimin që ka bërë dhe veprimet që ka ndërmarrë i ka shkaktuar dëm të madh sektorit privat, ekonomisë së vendit por edhe qytetarëve t ë Republikës së Kosovës”, është shprehur Rafuna.
Ai ka thënë se sipas të dhënave të ASK-së, inflacioni ka kaluar 5.1 për qind, dhe shtytësi kryesor i këtij inflacionit, sipas tij, është pikërisht rritja e çmimit të energjisë elektrike.
“I bëjmë thirrje ZRRE që të zbatojë vendimin e Supremes ashtu siç është shkruar sepse është aktvendim i formës së prerë”, ka thënë Rafuna.
Ai ka paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime të tjera në rast se ZRRE-ja nuk e zbaton vendimin.
“Nëse nuk ndodhë OEK-u do të marrë vendime të tjera, se në këtë rast edhe Prokuroria Speciale do të fillonte procedura, sepse në mënyrë të kundërligjshme i kanë nxjerrë bizneset. Me vetëdije apo jo i kanë bërë”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë në një komunikatë për media ZRRE-ja ka theksuar se e mirëpret Aktgjykimin e Supremes.
“Bazuar në pikën IV të Aktgjykimit është hedhur poshtë kërkesëpadia e paditësit përmes së cilës është kërkuar shfuqizimi dhe shpallja e paligjshme e Njoftimit publik për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, po ashtu është hedhur poshtë edhe kërkesëpadia për korrigjimin e faturave, si dhe shfuqizimin e të gjitha kontratave individuale për konsumatorët jofamiljarë, si të palejueshme. Rrjedhimisht, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, krahas vlefshmërisë së kontratave ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu sipas ZRRE-së Supremja i ka shfuqizuar dy dispozita të Udhëzuesve për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të viteve 2017-2019 pasi që ka konstatuar se ato nuk janë të harmonizuara me legjislacionin e energjisë.
ZRRE-ja në komunikatë ka thënë se është duke ndjekur procedurat e brendshme ligjore për shfuqizimin e këtyre dispozitave.
“Sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, të drejtën për furnizim me energji elektrike me tarifa të rregulluara e gëzojnë vetëm konsumatorët që kualifikohen për Shërbim Universal. E drejta e furnizimit me tarifa të rregulluara nga ZRRE, në bazë të vendimit të ZRRE-së për tarifa me pakicë për vitin 2025 – që është konsideruar i ligjshëm nga Gjykata – nuk është bazuar në dispozitat e shfuqizuara të udhëzuesit”, thuhet në komunikatë.
Në pajtim me pikën IV të Aktgjykimit, ZRRE-ja ka theksuar se do t’i shfuqizojë dispozitat e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut.
Sipas ZRRE-së, Gjykata Supreme ka vërtetuar se e drejta për furnizim me tarifa të rregulluara të energjisë elektrike u takon vetëm konsumatorëve të kualifikuar për shërbim universal, që thuhet se është në përputhje të plotë me vendimin e Bordit të ZRRE-së për tarifat me pakicë për vitin 2025 dhe Direktivën për Energji Elektrike të Bashkimit Evropian 2009/72/EC.
“ZRRE-ja sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, ka për obligim të përcaktojë tarifa të energjisë elektrike me pakicë vetëm për konsumatorët e energjisë elektrike që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, dhe jo për konsumatorët që nuk i plotësojnë kriteret e furnizimit me shërbim universal. Rrjedhimisht, Ligji për Energjinë Elektrike përcakton që këta konsumatorë duhet të furnizohen në treg të hapur. Furnizimi me energji elektrike në treg të hapur i këtyre konsumatorëve është detyrim ligjor që tejkalon kompetencat e ZRRE-së”, thuhet në komunikatë.