Ekonomi

Supremja shfuqizon dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë

Gjykata Supreme ka shfuqizuar dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke konstatuar se ato kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët jofamiljarë. Vendimi u mor pas padisë së Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji. E OEK-u ka vlerësuar se vendimi përfaqëson një hap thelbësor “drejt vendosjes së një kuadri ligjor dhe rregullator më transparent”

(Përditësim 19:19) - Gjykata Supreme ka shfuqizuar të hënën dy nene të Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke konstatuar se ato kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët.

Kjo gjykatë ka aprovuar padinë e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke i shfuqizuar nenin 8 të Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike nga janari 2017 dhe nenin 2 të Udhëzuesit për ndryshimin dhe plotësimin e këtij udhëzuesi.

“Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se mospërputhja e dispozitave kontestuese të udhëzuesve të ZRRE-së, e kombinuar me interpretimet e neneve 3 dhe 37 të Ligjit Nr.05/L- 37 084 për Energjinë Elektrike, në raport me Direktivën 2009/72/CE, ka rezultuar në një situatë juridike të paqëndrueshme, ku kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë e të parashikueshme”, thuhet në vendimin e Supremes.

Gjykata ka vlerësuar se kategorizimi i konsumatorëve në aktet nënligjore nuk është i mbështetur me përkufizime juridike apo ekonomike, gjë që ka krijuar konfuzion në praktikë për shumë biznese.

“Pasi dispozitat e ligjit i interpretoj në favor të mbrojtjes së konsumatorëve dhe në frymën e direktivës së 2009/72/CE, e cila në formulimin e saj i referohet plotësimit të dy kritereve në mënyrë kumulative, si dhe mos përmbushjes së detyrimeve për hapjen efektive të tregut, konstaton se dispozitat e kontestuara të udhëzuesve të lartcekur, nuk janë arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme dhe kanë prodhuar pasiguri juridike për konsumatorët, andaj të njëjtat shpallen të paligjshme dhe shfuqizohen”, thuhet në vendim.

Ndërkohë, Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e paditëses për shfuqizimin e Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë dhe për detyrimin e KESCO-së për korrigjimin e faturave dhe shfuqizimin e kontratave pas 1 qershorit 2025.

“Njoftimi Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë në Kosovë, i publikuar më 12.03.2025, nuk është një akt nënligjor normativ, për shkak të natyrës së tij dhe përmbajtjes, dhe nuk i përmbush kërkesat e përcaktuara në nenin 3, paragrafin 1, nën paragrafin 1.1 të Ligjit nr. 08/L-182 për Konfliktet Administrative”, theksohet në vendim.

Megjithëse janë të licencuara 27 kompani për furnizim me energji, sipas një shkrese të KOSTT-it, vetëm gjashtë prej tyre janë aktive.

E sipas Gjykatës, hapja e tregut nuk ka arritur të krijojë konkurrencë efektive, pasi numri i furnizuesve aktivë është i vogël dhe shumica e konsumatorëve mbeten të varur nga dy kompani kryesore.

OEK-u ka vlerësuar se vendimi përfaqëson një hap thelbësor “drejt vendosjes së një kuadri ligjor dhe rregullator më transparent, të drejtë dhe të harmonizuar me interesin e konsumatorëve jofamiljarë”.

“Vendimi adreson shqetësimet e ngritura nga OEK lidhur me faturimin e muajit qershor 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025. Oda Ekonomike e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesave të biznesit kosovar. OEK do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtij vendimi të Gjykatës Supreme dhe të angazhohet në procesin e hartimit të rregulloreve të reja që sigurojnë konkurrencë të ndershme dhe funksionim të rregullt të tregut të energjisë në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, pas vendimit ka thënë se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është bërë në kundërshtim me ligjin.

Sipas saj, ky proces është zhvilluar për të favorizuar kompani të lidhura me Qeverinë Kurti.

“Të gjithë vendimmarrësit e këtyre vendimeve joligjore të largohen menjëherë nga institucionet dhe të japin përgjegjësi për secilin cent të shpërdoruar. E kam thënë se hajnia më e madhe që po ndodh është ajo që po bëhet nga mafia energjetike. Pyetja është pse s’po luftohet kjo mafi nga organet qeveritare? Përgjigjen e dini të gjithë!”, ka thënë Bajrami.

ZRRE-ja në mars të këtij viti njoftoi për daljen në treg të hapur të rreth 1,300 bizneseve me mbi 50 punëtorë dhe me qarkullim mbi 10 milionë euro, e të cilët detyrohen ta zgjedhin vetë furnizuesin.

Bajrami pas vendimit të Supremes: Hajnia më e madhe po bëhet nga mafia energjetike

1 muaj më parë / 17 nën 2025 14:11
Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Supreme, duke deklaruar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është bërë në kundërshtim me ligjin dhe në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore.

Sipas saj, ky proces është zhvilluar për të favorizuar kompani të lidhura me Qeverinë Kurti, ndërsa vendimi i fundit i Gjykatës Supreme, siç thotë ajo, “i vërteton të gjitha paralajmërimet që janë bërë më herët”.

Bajrami u ka bërë thirrje organeve të zbatimit të ligjit që vendimi i gjykatës të zbatohet plotësisht dhe që bizneset të kthehen në shërbimin universal të furnizimit me energji elektrike.

Ajo gjithashtu kërkoi largimin nga institucionet të të gjithë atyre që kanë marrë vendime joligjore dhe mbajtjen e tyre përgjegjës për “çdo cent të shpërdoruar”.

Duke e cilësuar situatën si “hajninë më të madhe të kryer nga mafia energjetike”, Bajrami ngriti pyetjen se pse organet qeveritare nuk po ndërmarrin veprime kundër saj, duke theksuar se “përgjigjen e dinë të gjithë”.

“Kemi thënë që nga dita e parë, e kemi thënë me dhjetëra e qindra herë, se mënyra e liberalizimit të tregut të energjisë është joligjore. Është bërë në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore vetëm dhe vetëm për të përfituar tregtarët e energjisë të afërt me qeverinë Kurti. Vendimi i Gjykatës Supreme i vërteton të gjitha ato që kemi thënë. U bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit që ky vendim të zbatohet në tërësi; ndërmarrjet të kthehen në shërbimin universal të furnizimit me energji elektrike, ndërsa të gjithë vendimmarrësit e këtyre vendimeve joligjore të largohen menjëherë nga institucionet dhe të japin përgjegjësi për secilin cent të shpërdoruar. E kam thënë se hajnia më e madhe që po ndodh është ajo që po bëhet nga mafia energjetike.  Pyetja është pse s’po luftohet kjo mafi nga organet qeveritare? Përgjigjen e dini të gjithë!” – ka shkruar Bajrami në Facebook.

Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se ka shfuqizuar nenin 2 Udhëzuesit për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë dhe nenin 8 të Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Të dy nenet flasin për derregullim të çmimit për konsumatorët fundorë.

Supremja ka konstatuar se kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë e të parashikueshme.

Një pjesë e vendimit të Supremes flet për kriteret e përcaktuara për dalje në treg të hapur të energjisë të cilat sipas vendimit nuk janë përcaktuar qartë në Ligjin për energjinë elektrike dhe Ligjin për energjinë.

Duke iu referuar neneve të caktuara në këto dy ligje, Supremja konstaton se ZRRE-ja duke e përdorur lidhëzën “ose” kur flet për dy kriteret për të drejtën e furnizimin nga shërbimi universal, atë për më pak se 50 punëtorë dhe më pak se 10 milionë euro qarkullim, ka vepruar në kundërthënie me vetë dispozitat brenda për brena Ligjit për energjinë elektrike.