Ekonomi

Qytetarët ia kanë 124 milionë euro borxh KEK-ut

Pas më shumë se një dekade nga privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në Kosovë, mijëra qytetarë vazhdojnë të figurojnë me borxhe ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës. Por një pjesë e këtyre detyrimeve mund të mos jenë më të vlefshme ligjërisht, sipas interpretimeve juridike. Derisa KEK-u kërkon inkasimin e mjeteve përmes një marrëveshjeje me KESCO-n, juristët theksojnë se borxhet e vjetra bien në parashkrim pas dy vjetësh në mungesë të procedurave ligjore

Kanë kaluar 13 vjet nga privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, por 877 mijë konsumatorë ende figurojnë me borxhe ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Megjithatë, sipas juristëve, qytetarët nuk janë më të obliguar që t’i paguajnë këto borxhe.

Deri në tetor të vitit 2012, rrjeti i shpërndarjes dhe furnizimit me energji ka qenë nën kompetencë të KEK-ut.

Pas kësaj periudhe, këto përgjegjësi kaluan te kompanitë KEDS dhe KESCO, ndërsa ndërmarrja publike vazhdon të merret vetëm me prodhimin e energjisë elektrike.

Në një përgjigje për KOHËN, KEK-u ka bërë të ditur se konsumatorët nga periudha para privatizimit i detyrohen ndërmarrjes rreth 124 milionë euro.

Për mbledhjen e këtyre borxheve, është autorizuar kompania KESCO.

“KEK SH.A. ka marrëveshje me KESCO lidhur me inkasimin e borxheve të akumuluara nga konsumatorët individual. Në bazë të amendamentit nr.2 të marrëveshjes së inkasimit të datës 8 Maj, 2023 ndërmjet KEK dhe KESCO potencohet qëllimi për inkasimin e të hyrave të kësaj kategorie (debitorëve) individual… KEK-u autorizon KESCO, që në emër të saj të pranojë pagesat dhe çdo detyrim të konsumatorëve që kanë të bëjnë me inkasimin e mjeteve të arkëtueshme të mbajtura dhe të identifikuara në Bazën e të dhënave të Arkëtueshme”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

E, avokati Florin Lata thotë se duke u mbështetur në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, qytetarët nuk janë të obliguar ta paguajnë një borxh më të vjetër se dy vjet ndaj KEK-ut.

“Diku maksimumi që mund të shkoj një afat është deri në dy vjet dhe arrin afati i parashkrimit dhe parashkrimi nënkupton vjetrimin e borxhit. Pra pas kësaj periudhe borxhi bëhet i pakërkueshëm. Kështu që nëse për këto borxhe nuk është iniciuar procedurë përmbarimore apo gjyqësore, atëherë veçse ka arritur afati i parashkrimit dhe më nuk janë të kërkueshëm nëse pala, konsumatori, thirret në parashkrim sepse gjykata vetë nuk kujdeset për parashkrimin”, ka thënë avokati Lata.

Edhe neni 360 i Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, përcakton të njëjtin afat prej dy vjetësh për borxhe që lidhen me shërbime si ngrohja, uji, pastrimi, interneti dhe të tjera.

Nëse brenda kësaj kohe nuk është ndërmarrë procedurë përmbarimore apo gjyqësore, konsiderohet që ofruesi i shërbimit ka hequr dorë nga kërkesa për borxh.

Për të adresuar këtë problem në vitin 2015 u miratua Ligji për faljen e borxheve që ishte në fuqi për dy vjet.

Ky ligj mundësoi faljen e borxheve që kishin qytetarët dhe bizneset ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike deri më 31 dhjetor 2008.

Kusht për përfitim nga falja e borxhit ishte pagesa e plotë apo lidhja e kontratave dy dhe tri vjeçare për persona fizikë dhe juridikë për pagesën e borxheve të akumuluara nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.