Ekonomi

Qeveria miraton vendimin për ndarjen e mbi 31 mijë eurove për përfaqësuesit e Luginës

Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti

Qeveria ka mbajtur mbledhje elektronike të martën, ku ka miratuar dy vendime. Atë për anulimin e vendimit të marrë në mbledhjen e datës 24 janar, si dhe për ndarjen e 31.530 euro për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. 

Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria, thuhet se është anuluar vendimi për miratimin e kërkesës së Ndërmarrjes Publike “Trepça” për dhënien në shfrytëzim të pronës së ngastrës kadastrale nën menaxhimin e Agjencisë së Pyjeve. 

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje në mënyrë elektronike, në të cilën ka miratuar: Vendimin për anulimin e Vendimit të Qeverisë  Nr. 14/186 të datës 24 janar 2024. Vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në vlerë prej 31,530.00 € (tridhjetenjë mijë e pesëqindetridhjetë euro) me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve avokuese për çështjen e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, para institucioneve të Bashkimit Evropian, dhe kompensimit të mjeteve të zvogëluara nga Qeveria e Serbisë përmes ndarjes buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar”, thuhet në njoftim.