Vonesat në anëtarësimin e Kosovës në zonën e vetme të pagesave evropiane, e njohur si SEPA, i kanë kushtuar ekonomisë së vendit rreth 29 milionë euro vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, sipas vlerësimit të Këshillit të Investitorëve Evropianë. Pengesë për mospërfshirjen e Kosovës në SEPA janë ligjet të cilat po trajtohen nga Gjykata Kushtetuese. Kushtetuesja nuk ka dhënë ndonjë afat se kur do të publikohen vendimet për ligjet që ishin miratuar në dhjetorin e vitit të kaluar
Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë një afat se kur do të publikohet vendimi për ligjet që u bënë pengesë për mosanëtarësimin e Kosovës në zonën e vetme të pagesave në euro, e njohur si SEPA.
Banka Qendrore e Kosovës ka nxjerrë rregulloret përkatëse dhe ka paraaplikuar në SEPA.
Vlerësimi i këtyre rregulloreve nëse janë të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian është në proces, ndërsa pengesë mbeten Ligji për Bankat, Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe Ligji për plotësimin/ndryshimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, që janë në vlerësim të kushtetutshmërisë pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, kanë thënë nga Gjykata Kushtetuese për KOHËN.
Këto ligje ishin miratuar në dhjetorin e vitit të kaluar, por që më pas u dërguan për interpretim në Kushtetuese nga Partia Demokratike.
Anëtarësimi në SEPA do të lehtësonte pagesat ndërkombëtare duke i bërë ato më të shpejta, më të lira dhe më të thjeshta për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.
Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) në Kosovë i ka përmendur të hënën humbjet milionëshe nga mosanëtarësimi i Kosovës në SEPA.
“Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) në Kosovë mirëpret përkushtimin e institucioneve vendore dhe të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për anëtarësimin e vendit në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA), si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Evropian në këtë drejtim. Ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit financiar dhe përafrimit me standardet evropiane financiare. Anëtarësimi në SEPA do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset, duke mundësuar pagesa më të lira, më të shpejta dhe më të sigurta, qasje më të mirë në tregje ndërkombëtare, si dhe përmirësim të menaxhimit të likuiditetit për ndërmarrjet vendore”, shkruan në komunikatën për media.
Sipas tyre, bazuar në vlerësimet e fundit, vonesat në këtë proces i kanë kushtuar ekonomisë së Kosovës rreth 29 milionë euro vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, ndërkohë që përfitimet vjetore të mundshme kapin vlerën e 55 milionë eurove.
“Këshilli i Investitorëve Evropianë vlerëson punën e madhe teknike dhe rregullative që BQK, me ndihmën e Bankës Botërore dhe në koordinim të ngushtë me Komisionin Evropian, ka realizuar deri më tani. Ky proces ka avancuar ndjeshëm, dhe, duke pasur parasysh rëndësinë e të njëjtit për sektorin privat dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, EIC avokon që shqyrtimi i ligjeve përkatëse nga Gjykata Kushtetuese të mundësojë vazhdimësinë e reformave me kohë dhe në mënyrë të harmonizuar me interesin publik”, kanë thënë në EIC.
Sipas këtij këshilli, Kosova ka mundësinë reale të mos mbetet prapa vendeve fqinje në këtë fushë dhe të përfitojë plotësisht nga përfshirja në rrjetin unik të pagesave evropiane.
“Anëtarësimi i Kosovës në SEPA do të modernizojë infrastrukturën financiare, do të ulë kostot për bizneset dhe qytetarët dhe do ta bëjë ekonominë tonë më tërheqëse për investime të reja. Këshilli i Investitorëve Evropianë mbetet i përkushtuar të informojë gjerësisht për vlerën që SEPA sjell për ekonominë dhe qytetarët e vendit”, kanë thënë nga kjo organizatë.
SEPA është nismë gjithevropiane, e themeluar në vitin 2008 me qëllimin për të thjeshtësuar, përshpejtuar dhe harmonizuar pagesat elektronike duke i ulur sa më shumë shpenzimet.
“Falë zonës së vetme të pagesave në euro (SEPA), klientët mund të kryejnë pagesa në euro pa para në dorë - nëpërmjet transferimit të kreditit dhe debitimit direkt - në çdo vend të Bashkimit Evropian, si dhe në një numër vendesh jo-anëtare të BE-së, në një mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe efikase, njësoj si pagesat kombëtare. SEPA u prezantua për transferimet e kreditit në vitin 2008, e ndjekur nga debitimet direkte në vitin 2009, dhe u zbatua plotësisht deri në vitin 2014 në zonën e euros (dhe deri në vitin 2016 në vendet SEPA jashtë zonës së euros)”, thuhet në faqen e Bankës Qendrore Evropiane.
Pjesë e SEPA-s aktualisht janë 41 vende duke përfshirë shtetet anëtare të BE-së, disa shtete nordike dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur zyrtarisht pagesat në euro përmes zonës SEPA.