Ekonomi

Jakurti: Atë që në vitin 2019 e blinim me 100 euro, sot kushton 128 euro

Edison Jakurti

Ekonomisti Edison Jakurti ka thënë se në vitin 2025, 100 eurot e vitit 2019 vlejnë vetëm 78 euro. Ai ka thënë se atë që në vitin 2019 e blinim me 100 euro, në vitin 2025 na kushton rreth 128 euro.

Sipas tij inflacioni e ka gërryer ndjeshëm fuqinë blerëse në Kosovë këto 3 - 4 vjetët e fundit.

“Në vitin 2014, me 100 euro të vitit 2019 do të mund të blinim mallra e shërbime në vlerë rreth 105 euro. Në vitin 2025, 100 euro e 2019 vlen vetëm 78 euro. Atë që në vitin 2019 e blinim me 100 euro, në vitin 2025 na kushton rreth 128 euro”, ka shkruar Jaurti në Facebook. 

Çmimet e produkteve “Made in Kosova”, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovë (ASK) të puublikuara në fund të nëntorit, janë rritur për 5.5 për qind gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas ASK-së rritje më e madhe e çmimeve është shënuar te veprimtaritë ekonomike të prodhimit të mjeteve motorike – prej 23 për qind, të energjisë elektrike (20.8 për qind) dhe të prodhimit të tekstilit (14.2 për qind).

Krahas këtyre, në ASK i kanë numëruar edhe produktet e tjera, çmimi i të cilave është rritur në krahasim me tremujorin e tretë të 2024-s.

“Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutike u rrit për 8.1%, prodhimi i veshjeve 7.9%, prodhimi i mobilieve 7.8%, shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara 7.0%, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t. (produkte ose aktivitete prodhuese që nuk hyjnë në ndonjë kategori të veçantë të klasifikimit v.j.) 5.1%, prodhimi i pajisjeve elektrike 5.0%, grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë 5.0%, përpunimi i produkteve ushqimore 3.1%, prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës 2.9%, prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse 0.9%, prodhimi i produkteve minerale jometalike 0.4%, prodhimi i produkteve kimike 0.1%”, kanë treguar të dhënat e ASK-së.