Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Mother Earth” si alarm me yllin botëror lë mesazh në kaos

Fazil Say

Fazil Say ai ka një hije që minimizon deri diku defektet. Toka, deti e zogjtë s’janë veç disa prej pjesëve të veprës. Ato sikur vijnë natyrshëm në ambientin e koncertit, thonë çfarë kanë për të thënë dhe ikin. E te “Mother Earth”, thonë shumë. Vepra s’është prej atyre që tregojnë shkathtësitë pianistike të Say, por hyn tek ato që i ka për zemër pasi mesazhi është i fortë (Foto: Arben Llapashtica)

Fazil Say është yll në piano e në kompozim. Skenat botërore janë të zakonshme për të, Prishtina ka hyrë për herë të parë në itinerarin e tij me veprën “Mother Earth” që alarmon për kaosin ndaj natyrës. Por në Kosovë, një vepër si kjo jehon edhe në një tjetër aspekt: nxjerr në pah edhe kaosin e infrastrukturës për një koncert të këtij lloji. Alarmit të veprës së tij, i janë shtuar edhe zhurmat e telasheve akustike e ngushëllim për to ka qenë vepra e Shostakovich. Orkestra e Filharmonisë dirigjuar prej Aurélien Azan Zielinskit ka kryer detyrën e vet përkundër kushteve, e “Chopin Piano Festi” ka mbyllur edicionin e 16-të

Koncertet e Fazil Say janë diçka që nuk nisin e përfundojnë në minutat sa zgjat interpretimi, në rastin Prishtinës rreth gjysmë ore. Emri i tij ngjall kureshtje të madhe. Aura e tij si person kur kombinohet me veprat që ka kompozuar, janë një botë më vete. Magjikes e reales vërtet s’u dallohet fija që i ndan. Të mërkurën ai ia mësyu interpretimit në Prishtinë së bashku me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës për veprën “Mother Earth”. Fazil Say me rreth 100 koncerte në vit ka prani të madhe. E mbush sallën. Koha derisa e përshëndet publikun dhe ulet përballë tasteve të pianos, është ceremoni e llojit të vet. 
“Mother Earth” e kompozuar më 2024 vjen si thirrje për ndërgjegjësim në raport me shkatërrimin e natyrës. Vepra që është luajtur në vende të ndryshme të botës, është deri diku elegji e rebelizëm. Në njërën anë vjen si thirrje urgjente për mbrojtjen e natyrës e në tjetrën përshkruan vdekjen e natyrës. Magjia e muzikës së tij të pazakontë është pikturimi me tinguj i zogjve, dallgëve, tërmeteve e stuhive. Vepra shpesh është shumë diskrete, sidomos kur luhet solo në piano, e më pas gjithëpërfshirëse kur krejt orkestra hyn në lojë duke krijuar efektin e një përplasjeje natyrore ku zogj, dallgë e tërmete sikur qajnë për atë që njeriu ia ka shkaktuar tokës. 

Por për dalim prej hapësirave të tjera ku Say ka interpretuar këtë vepër e që mund të dëgjohen nëpër platforma, Kosova ka diçka që ndikon që as magjia të mos jetë e plotë. Në mungesë të kushteve, saktësisht sallës, Filharmonia e Kosovës edhe “Chopin Piano Fest” janë zhvendosur në një sallë private në periferi të kryeqytetit. Aty veç ambient për muzikë klasike s’është. Në këtë rast është dashur të intervenohet me zërim dhe “kollitjet” e zmadhuesit të zërit qenë të parat që kanë zbehur përmbajtjen e veprës. Shto defektet e tjera kur bëhet fjalë për situata intime të veprës. Është lojë fati ta ftosh një krijues të këtij kalibri. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por në rastin e Fazil Say ai ka një hije që minimizon deri diku defektet. Toka, deti e zogjtë s’janë veç disa prej pjesëve të veprës. Ato sikur vijnë natyrshëm në ambientin e koncertit, thonë çfarë kanë për të thënë dhe ikin. E te “Mother Earth”, thonë shumë. Vepra s’është prej atyre që tregojnë shkathtësitë pianistike të Say, por hyn tek ato që i ka për zemër pasi mesazhi është i fortë. 

“Jemi në vijën e kuqe të problemeve klimatike me shuarje të pyjeve, me më pak ujë në lumenj e më pak të reshura dhe me stinët që po ndryshojnë. Kjo është situatë vërtet alarmuese”, ka thënë ai një ditë më herët pas provës me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Dhe, vija e kuqe vjen ndjeshëm në vepër. Për një moment sikur çdo gjë mbi dhe merr fund, dhe më pas nis një jetë e re. Janë të rrallë ata krijues që e mbërrijnë këtë efekt. Megjithëse asnjë krahasim s’është krejt i qëndrueshëm, kjo vepër e tij muzikore është sikurse një film ku në efektin 3D shikuesit i shembet gjithçka përpara. I shembet baza: krejt ekosistemi. Say e mbërrin këtë efekt duke ngjallur nëpërmjet instrumenteve thuajse krejt ekosistemin. 

“Problemet klimatike në Turqi tregojnë se çdo vit humbim pyje dhe miliona drurë po vdesin. Në disa qytete s’ka më ujë dhe ky është një problem i madh në Turqi. Koncerti im pianistik nuk është një protestë, por një vepër alarmuese që jep mesazhin: Të kini kujdes”, ka thënë ai në ditën e provave. 
Kritika në botë e ka parë veprën thirrje urgjente zgjimi në raport me krizën klimatike. Është vlerësuar imagjinata orkestrale e Say e përdorimi i efekteve tingullore që imitojnë natyrën bashkë me virtuozitetin e tij si pianist. Bëhet fjalë për një udhëtim dramatik nga bukuria e natyrës te katastrofat mjedisore. Por ka edhe kritikë me emër që kanë ardhur në përfundim se në rastin e “Mother Earth” mesazhi ekologjik është i qartë, por se muzika nuk arrin gjithmonë intensitetin emocional dhe risinë harmonike që do ta bënin atë një alarm vërtet të fuqishëm për klimën dhe se ndikimi i veprës mbetet më i fortë në nivelin e programit dhe mesazhit sesa në emocionin e drejtpërdrejtë muzikor. 
Deri diku i këtij mendimi është edhe një kompozitor e dirigjent vendas. Sayin e sheh si Orhan Pamukun e muzikës. Por “Mother Earth” për të s’hyn te veprat më të mira të krijuesit. 

Nën dirigjimin e Aurélien Azan Zielinskit, vepra e Say brenda mundësive i ka sjellë publikut shpirtin krijues të artistit botëror. 

“Simfonia Nr. 5 Op. 47” e Shostakovichit është sjellë nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Aurélien Azan Zielinski si një rrëfim ku përplasen errësira e shkëlqimi (Foto: Arben Llapashtica)

Fazil Say (56) i lindur në Ankara, e i cili jeton në Stamboll, pas studimeve në Gjermani dhe suksesit si kompozitor në New York është mburrja e Turqisë dhe botës së muzikës klasike. Vlerësohet fort si pianist virtuoz që kur interpreton vepra të të tjerëve ua shton një dozë rigoroziteti muzikor duke lënë në to vulën e botëkuptimeve të tij si muzikant.

“Është një vepër me një muzikë shumë ndryshe, një botë shumë ndryshe. Pak muzikë folklorike e pastaj vërtet klasike. Mendoj se ai ka kombinuar tejet mirë stilet e muzikës. Ky koncert është një rrëfim për ndryshimet klimatike. Natyra ndoshta shkatërrohet një moment dhe pastaj lind”, ka thënë dirigjenti Aurélien Azan Zielinski për “Mother Earth”. Ka përmendur se vepra e Say qe diçka e re për të dhe për Orkestrën. 

E Lejla Pula, drejtoreshë artistike e “Chopin Piano Fest” që në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës kanë sjellë Fazil Sayn në Prishtinë, ka thënë se mbrëmja ishte një mrekulli. 

“Shihet entuziazmi dhe efekti fascionues i muzikës së tij. Vërtet ishte diçka unike. Thjesht ai është një artist i veçantë, unik i cili sjell diçka krejtësisht të veçantë në aspektin tingullor e muzikor. Këtë vepër e ka interpretuar nëpër botë. Jam shumë e lumtur që kemi dëshmuar se në skenën tonë mund të sjellim artist si Fazil Say”, ka thënë Pula. Derisa ka folur për veprën ka thënë se ishin disa tinguj që audienca vendore s’është mësuar t’i dëgjojë dhe qasja e tij ndaj pianos si instrument është diçka shumë specifike. 

“Ai është legjendë e pianizmit botëror dhe mburrje e shtetit turk”, ka thënë ajo. 

Shteti turk për një periudhë jo të vogël s’është mburrur me Fazil Say. Ai qe kritik jo i vogël në raport me censurën institucionale në krijimtari në vendin e tij. Madje një gjykatë e kishte dënuar me burgim me kusht por mandej sistemi i drejtësisë në Turqi u tërhoq nga vendim. Tash Say e shteti turk kanë gjetur një paqe. 

Relacionet s’i ka pasur aspak të mira me shtetin e tij as Dmitri Shostakovich. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës pas “Mother Earth” ka luajtur “Simfoninë Nr. 5 Op. 47”. Më 1937 Stalini tashmë kishte kopsitur çdo arterie të Bashkimit Sovjetik. Shostakovich po atë vit kompozoi këtë vepër. E punoi pas operës së famshme “Lady Macbeth of the Mtsensk District”. Pasi Joseph Stalin ndoqi një shfaqje të saj në Moskë kritika shpërtheu ndaj kompozitorit. Asokohe gazeta zyrtare “Pravda” botoi artikullin “Kaos në vend të muzikës”. E “Simfonia Nr. 5 Op. 47” lindi nën presion të madh. Në sytë e pushtetit ajo u paraqit si: “Përgjigjja krijuese e një artisti sovjetik ndaj kritikës së drejtë”. Por shumë studiues mendojnë se nën sipërfaqen heroike të veprës fshihet një ndjenjë e thellë dhimbjeje, frike dhe ironie ndaj regjimit.

Me koncertin e së mërkurës është regjistruar edhe një mesazh tjetër alarmues: mungesa e hapësirave në Kosovë për koncerte si këto (Foto: Arben Llapashtica)
 

Dhe në katër kohët e veprës kjo vërehet lehtë. Hapet me një temë dramatike në harqe. Atmosfera është e tensionuar dhe tragjike. Muzika alternon midis shpërthimeve të fuqishme dhe momenteve të pasigurta, duke krijuar ndjenjën e një lufte të brendshme. Ironia, satira, malli e pikëllimi janë pjesë qendrore e veprës. Kurse finalja fillon me energji shpërthyese dhe përfundon në një triumf monumental. Në literaturën muzikore disa e interpretojnë si fitore të vërtetë dhe optimizëm, ndërsa të tjerë si një triumf të detyruar, një gëzim të imponuar nga pushteti. Kjo dykuptimësi është një nga arsyet pse kjo vepër vazhdon të fascinojë dirigjentë, muzikologë dhe publikun. Muzikalisht hyn te veprat madhore. E tillë edhe ka ardhur në koncert. Dirigjenti bashkë me Orkestrën e kanë përgatitur mirë atë. Tingulli i flautit njëmend i ka dhënë ngjyrë pikëllimi. Dhe gjatë kësaj vepre akustika ka qenë tejet më në nivel. 

“Ishte vërtet një koncert shumë i mirë pasi kjo Simfoni është një vepër vërtet e vështirë por kemi punuar shumë me orkestrën dhe kemi realizuar një koncert madhështor”, ka thënë dirigjenti Aurélien Azan Zielinski. Sipas tij kjo vepër është deri diku sikurse ajo e Fazil Sayt, por që rrëfen humanitetin. 
“Shostakovich ka një rrëfim që nis shumë errët dhe më pas shkëlqen”, ka thënë ai. 

Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Festit”, Lejla Pula në përmbyllje të edicionit të 16-të ka thënë të jetë vërtet e lumtur për të gjitha mbresat që publiku i ka përjetuar gjatë gjithë festivalit. 

“Ky edhe është misioni dhe esenca se përse ne tentojmë të sjellim vlera shumë të larta në këtë festival në mënyrë që publiku ta ketë mundësinë që t’i shijojë”, ka thënë ajo derisa ka falënderuar krejt bashkëpunëtorët. 

Festivali për një muaj sivjet ka sjellë emra e bashkë me ta edhe lojë madhështore në Prishtinë. Treshja e pianistëve Alexander Gadjiev, David Khrikuli e Fazil Say është trinom që jo veçse i ka dyert e hapura gjithandej skenave në botë, por edhe ka konkurrencë për t’i rezervuar. Prishtina sivjet gjatë festivalit ka marrë shumë mesazhe nëpërmjet muzikës. Midis tyre, edhe atë për mbrojtjen e natyrës. Por me koncertin e së mërkurës është regjistruar edhe një mesazh tjetër alarmues: mungesa e hapësirave për të bërë muzikë.