Ekonomi

Bizneset alarmojnë për falimentim nëse s’shtyhet afati për dalje në treg të hapur të energjisë

Në Qeveri është deponuar kërkesa për ta shtyrë zbatimin e vendimit, i cili i obligon bizneset që të dalin në treg të hapur të energjisë elektrike. Përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se mund të falimentojnë, në rast se afati i caktuar për 30 korrik nuk shtyhet dhe KEK-u ua ndal furnizimin

Përfaqësues të bizneseve e kanë cilësuar kërcënim, paralajmërimin se do t’u ndërpritet rryma në rast se nuk dalin në treg të hapur të energjisë deri më datën 30 korrik. 

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka vendosur më herët se që nga 1 qershori, të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji nëpërmjet tarifave të rregulluara, por duhet ta gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. E në rast se nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i është drejtuar me kërkesë Qeverisë për ta shtyrë afatin e caktuar nga ZRRE-ja, që bizneset ta kontraktojnë vetë energjinë.

Drejtori i kësaj shoqate, Kushtrim Ahmeti, ka thënë se bizneset po përballen me vështirësi të mëdha dhe do të detyrohen që të ikin nga Kosova nëse liberalizimi bëhet në formën siç është paralajmëruar. 

“Situata te bizneset është jashtëzakonisht e vështirë, shumë prej tyre tashmë po i mbyllin edhe repartet e tyre. Një pjesë e tyre tashmë i kanë ndërprerë edhe planet e tyre për investime, disa i kanë ndërprerë edhe kontratat me partnerët e tyre jashtë, të tjerët janë duke i zgjeruar investimet e tyre nëpër vendet e tjera të rajonit, për shkak të ofertave jashtëzakonisht më të favorshme sesa që Kosova deri tash po u ofron”, ka theksuar Ahmeti.

Përfaqësues të bizneseve, të cilat tani janë duke u furnizuar nga Korporata Energjetike (KEK), si furnizues i mundësisë së fundit (FMF), kanë thënë se as institucionet nuk janë përgatitur për procesin e liberalizimit të tregut, pasi që KEK-u deri më tani nuk u ka dërguar fatura.

“Është një papërgatitje e institucioneve tona, përfshirë KEK-un edhe KEDS-in, por ndoshta është edhe një shtyrje me qëllimin e dërgimit të faturave. Do t’i marrin faturat për dy muaj, plus KESCO po i detyron bizneset që ta deponojnë shumën për dy muaj në bazë të shpenzimeve që i kanë bërë më herët”, ka thënë Skender Krasniqi, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Vërejtje të ngjashme ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Hamdi Malushaj.

“Nëse na e ndërpresin rrymën tri orë e mos me e pasë unë agregatin, të njëjtën ditë, 1400 punëtorë mbesin pa punë. Unë falimentoj, falimenton edhe qeveria bashkë me neve, edhe shteti, ndalet ekonomia. Pasojat janë të paparashikueshme”, ka theksuar ai.

Në ZRRE kanë njoftuar të enjten se furnizimi nga KEK-u është masë e përkohshme, e cila e ka për qëllim sigurimin e vazhdimësisë së furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që, për çfarëdo arsye, kanë mbetur pa furnizues komercial. 

Sipas rregullatorit të energjisë, furnizimi i garantuar nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë, gjë kjo që nënkupton se bizneset me mbi 50 punëtorë, apo me më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor, duhet që të lidhen me një furnizues më së largu deri më 30 korrik.