Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Supreme, duke deklaruar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është bërë në kundërshtim me ligjin dhe në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore.
Sipas saj, ky proces është zhvilluar për të favorizuar kompani të lidhura me Qeverinë Kurti, ndërsa vendimi i fundit i Gjykatës Supreme, siç thotë ajo, “i vërteton të gjitha paralajmërimet që janë bërë më herët”.
Bajrami u ka bërë thirrje organeve të zbatimit të ligjit që vendimi i gjykatës të zbatohet plotësisht dhe që bizneset të kthehen në shërbimin universal të furnizimit me energji elektrike.
Ajo gjithashtu kërkoi largimin nga institucionet të të gjithë atyre që kanë marrë vendime joligjore dhe mbajtjen e tyre përgjegjës për “çdo cent të shpërdoruar”.
Duke e cilësuar situatën si “hajninë më të madhe të kryer nga mafia energjetike”, Bajrami ngriti pyetjen se pse organet qeveritare nuk po ndërmarrin veprime kundër saj, duke theksuar se “përgjigjen e dinë të gjithë”.
“Kemi thënë që nga dita e parë, e kemi thënë me dhjetëra e qindra herë, se mënyra e liberalizimit të tregut të energjisë është joligjore. Është bërë në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore vetëm dhe vetëm për të përfituar tregtarët e energjisë të afërt me qeverinë Kurti. Vendimi i Gjykatës Supreme i vërteton të gjitha ato që kemi thënë. U bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit që ky vendim të zbatohet në tërësi; ndërmarrjet të kthehen në shërbimin universal të furnizimit me energji elektrike, ndërsa të gjithë vendimmarrësit e këtyre vendimeve joligjore të largohen menjëherë nga institucionet dhe të japin përgjegjësi për secilin cent të shpërdoruar. E kam thënë se hajnia më e madhe që po ndodh është ajo që po bëhet nga mafia energjetike. Pyetja është pse s’po luftohet kjo mafi nga organet qeveritare? Përgjigjen e dini të gjithë!” – ka shkruar Bajrami në Facebook.
Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se ka shfuqizuar nenin 2 Udhëzuesit për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë dhe nenin 8 të Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Të dy nenet flasin për derregullim të çmimit për konsumatorët fundorë.
Supremja ka konstatuar se kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë e të parashikueshme.
Një pjesë e vendimit të Supremes flet për kriteret e përcaktuara për dalje në treg të hapur të energjisë të cilat sipas vendimit nuk janë përcaktuar qartë në Ligjin për energjinë elektrike dhe Ligjin për energjinë.
Duke iu referuar neneve të caktuara në këto dy ligje, Supremja konstaton se ZRRE-ja duke e përdorur lidhëzën “ose” kur flet për dy kriteret për të drejtën e furnizimin nga shërbimi universal, atë për më pak se 50 punëtorë dhe më pak se 10 milionë euro qarkullim, ka vepruar në kundërthënie me vetë dispozitat brenda për brena Ligjit për energjinë elektrike.