Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se ka shfuqizuar nenin 2 Udhëzuesit për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë dhe nenin 8 të Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Të dy nenet flasin për derregullim të çmimit për konsumatorët fundorë.
Supremja ka konstatuar se kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë e të parashikueshme.
Një pjesë e vendimit të Supremes flet për kriteret e përcaktuara për dalje në treg të hapur të energjisë të cilat sipas vendimit nuk janë përcaktuar qartë në Ligjin për energjinë elektrike dhe Ligjin për energjinë.
Duke iu referuar neneve të caktuara në këto dy ligje, Supremja konstaton se ZRRE-ja duke e përdorur lidhëzën “ose” kur flet për dy kriteret për të drejtën e furnizimin nga shërbimi universal, atë për më pak se 50 punëtorë dhe më pak se 10 milionë euro qarkullim, ka vepruar në kundërthënie me vetë dispozitat brenda për brena Ligjit për energjinë elektrike.
“Ky dallim thelbësor ndërmjet përdorimit të lidhëzës “dhe” në nenin 3 dhe “ose” në nenin 37, të Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, ndërlidhur me përkufizimin përkatës në nenin 3, nënparagrafi 1.35 dhe 20 të Ligjit Nr. 05/L-081 për Energjinë, tregon se vetë ligji bazik ka krijuar paqartësi për interpretim të saktë dhe të njëtrajtshëm të drejtës së shërbimit universal. Si rrjedhojë, shumë konsumatorë jofamiljarë nuk janë kategorizuar si konsumator që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal të furnizimit me energji elektrike. Duke pasur parasysh se e paditura në zbatim të nenit 37 par.2 të Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, ka zbatuar dispozitën përcaktues me lidhëzën “ose”, gjykata vlerësoj se një zbatim i tillë është kundërthënës me vetë dispozitat brenda për brenda ligjit”, thuhet në vendimin e Supremes.
Gjykata Supreme ka konstatuar se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike, siç thuhet, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e gjykatës për interpretim të unifikuar të normave dhe për mbrojtjen e parimit të sigurisë juridike dhe të trajtimit të barabartë në tregun e energjisë elektrike.
Vendimi i Supremes është marrë pasi ëshë aprovuar si e themeltë kërkesëpadia Odës Ekonomike të Kosovës ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
OEK-u ka vlerësuar se vendim përfaqëson një hap thelbësor “drejt vendosjes së një kuadri ligjor dhe rregullator më transparent, të drejtë dhe të harmonizuar me interesin e konsumatorëve jo-familjarë”.
“OEK do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtij vendimi të Gjykatës Supreme dhe të angazhohet në procesin e hartimit të rregulloreve të reja që sigurojnë konkurrencë të ndershme dhe funksionim të rregullt të tregut të energjisë në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e OEK-ut.