Thomas Tuchel ka marrë përgjegjësinë për eliminimin e Anglisë nga Kupa e Botës, duke e cilësuar humbjen 2:1 ndaj Argjentinës si një zhgënjim të madh, por njëkohësisht duke insistuar se skuadra e tij zhvilloi një nga paraqitjet më të mira të turneut.
Trajneri gjerman u shpreh se Anglia ishte shumë pranë finales, por u bë tepër pasive pasi kaloi në epërsi, duke i lejuar Argjentinës të krijonte raste dhe ta përmbyste rezultatin.
“Rrugëtimi ynë përfundon këtu. Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer sepse ishim shumë afër. U bëmë tepër pasivë pasi shënuam dhe u lejuam atyre shumë krosime e raste”, ka thënë Tuchel.
Ai shpjegoi edhe vendimet taktike që mori gjatë pjesës së dytë, duke pranuar se ndryshimet nuk dhanë efektin e dëshiruar.
“Në ndeshjet e fundit kam futur lojtarë ofensivë për ta ndihmuar ekipin, por këtë herë pasi shënuam hapësirat mes reparteve tona u bënë shumë të mëdha. Provova të kalojmë në një rreshtim me pesë mbrojtës për t’i mbyllur ato hapësira, por sërish lejuam shumë krosime. Donim ta shënonim golin e dytë, por mbetëm të bllokuar në një formacion 4-4-2, ku nuk arrinim as ta fitonim topin e as ta mbanim në zotërim”, deklaroi ai.
Pavarësisht eliminimit, Tucheli mbrojti futbollistët e tij dhe ka thënë se nuk ka asnjë pendesë për mënyrën se si u zhvillua ndeshja.
“E analizoj atë që ndodh në fushë dhe marr përgjegjësinë e plotë. Nuk pendohem për asgjë. Ekipi dha gjithçka nga vetja, ishim shumë, shumë afër dhe e merituam epërsinë 1:0. Kjo ishte një nga ndeshjet tona më të mira”, theksoi strategu gjerman.
Edhe
Anglia merr vendim për Tuchelin
Në fund, Tuchel kujtoi edhe rrugëtimin e vështirë të Anglisë në këtë Botëror, duke theksuar se skuadra përballoi një grup të fortë, udhëtime të gjata, ndeshje në lartësi të mëdha dhe temperatura të larta.
“Skuadra jonë u përball me shumë sfida gjatë këtij turneu. Lojtarët kapërcyen çdo pengesë që u doli përpara dhe për këtë nuk kam asgjë tjetër veçse t’i përgëzoj”, përfundoi ai.
Sipas mediave angleze, Tucheli do të vazhdojë të jetë trajner i Anglisë.