Politika zuri vend në fitoren dramatike 2:1 të Argjentinës ndaj Anglisë në gjysmëfinale të Kupës së Botës ditë më parë.
Lojtarët e Argjentinës pas fitores mbajtën në duar pankartën me mesazhin politik “Las Malvinas son Argentinas”, që u referohet ishujve Malvinas dhe se ato janë pjesë e Argjentinës. Ishujt Malvinas quhen sipas argjentinasve, derisa në Britaninë e Madhe njihen si ishujt Falkland. Për këtë territor në vitin 1982, u bë luftë që zgjati 74 ditë, ndërsa të vrarë mbetën 655 ushtarë argjentinas dhe 255 ushtarë britanikë. U vranë edhe tre banorë të ishullit. Ishulli administrohet nga Britania.
Argjentina mund të përballet me masa disiplinore nga FIFA për këtë festë të futbollistëve, ndërsa Shtëpia e Bardhë të dielën u ka dalë në mbrojtje argjentinasve.
Kreu i task-forcës së FIFA-s në Shtëpinë e Bardhë, Andrew Giuliani, ka folur për situatën e krijuar, ndërsa ka thënë se SHBA-ja nuk do të marrë asnjë veprim.
“Ne besojmë në të drejtat tona të Amendamentit të Parë në SHBA”, ka thënë fillimisht Giuliani.
Ai shtoi se përfaqësuesja argjentinase e kishte mundësinë dhe aftësinë për “t’i bërë këto deklarata”, pasi garon në tokën amerikane. Sipas tij, fjala e lirë në SHBA mbrohet me kushtetutë.