Rodri i Spanjës kishte një paraqitje të shkëlqyer në mesfushë kundër Francës të martën, duke bërë një rikthim të shumëpritur në formën që ia siguroi Topin e Artë në vitin 2024.
Ai udhëhoqi shfaqjen e shkëlqyer nga skuadra e Luis de la Fuente, që e dërgoi Spanjën në finale të Kupës së Botës.
Njëzet e dy muaj pasi këputi ligamentin e kryqëzuar në një duel me Thomas Partey, derisa ishte duke luajtur për Manchester Cityn kundër Arsenalit në Premier League, 30-vjeçari gjeti kohën e përsosur për të arritur nivelin superior që e kishte para lëndimit.
“Hap pas hapi, një hap tutje”, tha Rodri pasi Spanja fitoi 2:0 ndaj Francës për të bërë vend në finalen e parë që kur e fitoi titullin e botës në vitin 2010.
“Ekipi është i gëzuar. Është hera e dytë që arrijmë në finale dhe duhet të qëndrojmë të qetë dhe të pushojmë pak”.
Edhe
Selektori i Spanjës: Mund ta eliminojmë Francën
Shenjat që Rodri është kthyer në nivelin që ishte shumë i rëndësishëm gjatë dominimit të Cityt në futbollin anglez dhe evropian, ishin bërë gjithnjë e më të qarta gjatë gjithë Botërorit.
Por të martën ndaj Francës, Rodri u paraqit në mënyrën që kujton formën që ia solli atij rekordin botëror për ndeshje pa humbje, nga shkurti i vitit 2023 deri në maj 2024. Ai ishte i pamposhtur për ekipin e Cityt të Pep Guardiolas në plot 74 ndeshje radhazi.
Rodri shërbeu si pikë e mbështetjes për lojën e Spanjës. Ekipi i Luis de la Fuentes e frustroi dhe e “mbyti” formacionin francez që pritej të shfaqej me vrull sulmues.
Por ishte Rodri ai që dominoi, duke formuar një trekëndësh mbrojtës të pathyeshëm me Aymeric Laporten dhe Pau Cubarsin dhe duke ua mohuar plotësisht kohën dhe hapësirën lojtarëve ofenzivë francezë, Kylian Mbappe, Ousmane Dembele dhe Michael Olise.
Tregon shumë fakti që portieri i Spanjës, Unai Simon, nuk e kishte asnjë pritje, pasi Rodri shpesh e eliminonte rrezikun e mundshëm shumë kohë para se ai të shfaqej. Këtë e bënte duke marrë topin nga Dembele apo duke e dërguar Mbappen në “rrugë pa dalje”.
Frustrimi te francezët ishte i dukshëm që në fillim, me trajnerin Didier Deschamps që u detyrua të zëvendësonte Adrien Rabiotin joefektiv pas pjesës së parë. Megjithatë ishte përpjekje e pasuksesshme për të marrë kontrollin e mesfushës.
Edhe
Pse Rodri i kërkoi falje Bernardo Silvas?
Ndërkohë shpërndardja e topit nga Rodri e mbajti Francën në pozicion të dobët. Ai bashkëpunoi shkëlqyer me mbrojtësit e krahut, Marc Cucurella dhe Pedro Porro. Të tre i bënë më shumë se 12.5 kilometra vrapim në një paraqitje bindëse të spanjollëve.
“Duke pasur parasysh karakteristikat e të dy skuadrave, e dinim që njëra ishte më shpërthyese dhe tjetra e orientuar drejt posedimit të topit. Mbështetja nga mbrojtësit e krahut dhe nga e gjithë skuadra ishte sensacionale”, ka theksuar mesfushori spanjoll.