Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Grupi D, aty ku duhej të ishte Kosova

Botërori 2026 - Grupi D

SHBA-ja i ka të njohur Australinë, Paraguain dhe Turqinë, me të cilët përballet në Grupin D të Kupës së Botës në futboll. Është grupi në të cilin shumë lehtë ka mundur të jetë Kosova. Por “Dardanët” pësuan 1:0 nga Turqia në finale të plejofit në Prishtinë.

Dhe në vend të të përzgjedhurve të Franco Fodas, rrugën për në SHBA do ta bëjnë lojtarët e Turqisë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

SHBA-ja është nikoqirja e “madhe” e Botërorit që fillon më 11 qershor. Amerikanët vjet luajtën miqësore me tre kundërshtarët e grupit. Humbën 2:1 nga Turqia në qershor, kurse mposhtën Australinë dhe Paraguain me 2:1 në vjeshtë.

Ndeshja e parë e këtij grupi, ajo mes SHBA-së dhe Paraguait, është më 13 qershor nga ora tre e mëngjesit, sipas kohës në Kosovë. Zhvillohet në Los Angeles. Më 14 qershor nga ora gjashtë e mëngjesit, Australia dhe Turqia përballen në Vancouver.

Vlerësohet grup solid, me Turqinë si përfaqësuesen e vetme nga Evropa që e kërkon suksesin, përkatësisht avancimin tutje.

SHBA-ja

Amerikanët kanë grupin më të dobët të portierëve që nga vitet 1980-ta dhe vetëm një mbrojtës qendror që luan në top-ligat evropiane. Bëhet fjalë për Chris Richards që është te Crystal Palace në Angli.

Por SHBA-ja përfiton nga fakti se ishte bartës në short si vend nikoqir. 

Christian Pulisic, lojtari më i mirë i SHBA-së, nuk ka pasur formën më të mirë këtë vit. Nuk ka shënuar gol për përfaqësuesen që nga viti 2024.

Mesfushori Tyler Adams dhe mbrojtësi i djathtë, Sergino Dest, janë përballur me probleme fizike së fundi.

Asnjë ekip i SHBA-së nuk ka arritur në gjysmëfinale që nga Kupa e parë e Botës në vitin 1930 dhe amerikanët nuk kanë avancuar në çerekfinale që nga viti 2002, kur ekipi udhëhiqej nga 20-vjeçarët Landon Donovan dhe DaMarcus Beasley.

Trajneri Mauricio Pochettino zëvendësoi Gregg Berhalterin pasi SHBA-ja u eliminua në fazën e grupeve të Copa America në vitin 2024.

Turqia

Turqia arriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2002 dhe të Kampionatit Evropian 2008. Por mungoi në pesë edicione radhazi të Kupës së Botës, përpara se të kualifikohej këtë vit duke e mposhtur Kosovën në finale të plejofit. Kjo do të jetë vetëm paraqitja e tretë për turqit në Kupë të Botës. Për herë të parë në ngjarjen globale ishin në vitin 1954.

Kapiteni Hakan Çalhanoglu i ka 22 gola në ndeshje me përfaqësuese, kurse Kerem Akturkoglu ka realizuar 15-të. Këtu përfshihet edhe goli i fitores ndaj Kosovës.

Trajneri Vincenzo Montella, ish-sulmues i njohur i Romës, mori drejtimin e ekipit nga Stefan Kuntz në shtator 2023 dhe e udhëhoqi Turqinë në çerekfinale të Euro 2024. 

Turqisë i janë dashur fitoret në plejof ndaj Rumanisë dhe Kosovës për të bërë rrugën për në SHBA.

Turqia nuk është përballur me Australinë që nga viti 2004, kurse me Paraguain për herë të vetme u përball në vitin 1995.

Paraguai

“La Albirroja” siguroi biletën e gjashtë dhe të fundit nga Amerika e Jugut me barazimin pa gola ndaj Ekuadorit. Paraguai është kthyer në ngjarjen kryesore sportive për herë të parë që nga viti 2010.

Paraguai paraqitet në Kupë të Botës për herë të nëntë. Çerekfinalja e vitit 2010 është e arritura më e madhe. David Villa kishte shënuar golin për Spanjën që e eliminoi Paraguain në atë fazë.

Miguel Almiron dhe Antonio Sanabria janë veteranët që drejtojnë sulmin. Julio Enciso dhe Diego Gomez ofrojnë freski në ekip me moshën e re që kanë.

Australia

Pas katër eliminimeve radhazi në fazën e grupeve, Australia, e njohur si “Socceroos”, mposhti Tunizinë dhe Danimarkën në Botërorin 2022 për të avancuar nga grupi. Por në një të tetën e finales pësoi 2:1 nga Argjentina, që më pas e fitoi Botërorin.

Portieri Matthew Ryan, që është kapiten, paraqitet në Botëror për herë të katërt.

Ish-mbrojtësi i Australisë, Toni Popovic, zëvendësoi Graham Arnoldin si selektor në shtator 2024. 

Për Australinë, kualifikimi në Botëror nuk paraqet ndonjë sfidë.