Belgjika kërkon të zvogëlojë çdo pritshmëri pas një fitoreje mbresëlënëse ndaj Kroacisë të martën në Rijekë. Një gol nga Romelu Lukaku erdhi si një shtytje e madhe në prag të Kupës së Botës në futboll.
Sulmuesi i fuqishëm e shënoi golin e tij të 90-të në fitoren 2:0 ndaj Kroacisë. Goli i Lukakut në fakt është me shumë peshë për Belgjikën. Ai u kthye në përfaqësuese pas mungesës prej një viti dhe pas një edicioni të vështirë në të cilin në përgjithësi luajti më pak se një orë për Napolin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Për Lukakun është shumë e rëndësishme. Ai jeton për golat. Fakti që ai shënoi është diçka për të cilën të gjithë jemi të lumtur”, ka thënë selektori i Belgjikës, Rudi Garcia.
“E patë edhe reagimin e shokëve të ekipit. Të gjithë shkuan të festojnë me Lukakun. Ai e meriton. Golashënuesi ynë më i mirë. Super-golashënuesi ynë ka realizuar sërish dhe kjo është fantastike. Ai gol është i duhur për vetëbesimin e tij. Por duhet të jemi të kujdesshëm. Mund të jetë e rrezikshme të nxitohet. Duhet ta kthejmë atë hap pas hapi”, ka shtuar Garcia.
Lukaku ka pasur një lëndim në kofshë. Së fundi kishte luajtur në fillim të marsit. Garcia thotë se sulmuesi 33-vjeçar ishte në gjendje më të mirë se që është shpresuar të jetë.
Selektori belg megjithatë tërhoqi vërejtjen se pas lëndimeve serioze, fillimi mund të jetë i mirë e më pas të paraqiten pengesa.
Youri Tielemans e shënoi golin e parë në minutën e 38-të, para se Lukaku të vendoste rezultatin final në minutën e 96-të.
“Mendoj se ishte një ndeshje e përafërt dhe shumë e luftuar”, ka thënë mesfushori Kevin De Bruyne.
“Testuam disa gjëra, por jo domosdoshmërit me qëllimin për të zbatuar ato në Kupën e Botës. Si ekip ishim mjaft kompakt dhe nuk lejuam shumë gjëra për kundërshtarin. Ende jemi në kërkim të disa gjërave dhe janë disa aspekte ku mund të luajmë më mirë”, ka shtuar veterani belg.
Edhe De Bruyne ka thënë se fillimi është i mirë, por se ekipi duhet të qëndrojë i qetë.
“Shumë gjëra mund të ndryshojnë. Do të ketë momente gjatë Kupës së Botës kur gjërat mund të vështirësohen. Kjo skuadër dëshiron t’i qaset Botërorit në mënyrë pozitive”, ka theksuar De Bruyne.
Belgjika luan kundër Tunizisë në Bruksel të shtunën, përpara se të udhëtojë për në SHBA. Ndeshjen e parë në Botëror e luan ndaj Egjiptit në Seattle, më 15 qershor.