Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Zona e Vdekjes” - Si po i josh Rusia afrikanët për të luftuar në Ukrainë?

Mercenar

Foto: New York Times

Një numër gjithnjë e në rritje burrash në të gjithë Afrikën thonë se u premtohen vende pune në Rusi, për t’u detyruar të shkojnë në luftë. Disa shkojnë si mercenarë, por shumë të tjerë tërhiqen pa dashje.

James Kamau Ndungu u kishte treguar vetëm disa miqve se po shkonte në Rusi. Ai u tha atyre se i ishte premtuar një punë si punëtor ditor atje. Ishte 32 vjeç, i papunë në Kenia dhe kishte nevojë për punë.

Qershorin e kaluar, Kamau u dërgoi miqve një foto nga aeroporti i Stambollit, duke thënë se ishte në tranzit, sipas njërit prej miqve. Disa javë më vonë, ai dërgoi një tjetër foto. Këtë herë kishte veshur uniformë ushtarake dhe mbante një armë. Në gusht, ai shkroi se ndodhej në një hendek në Ukrainë. Gjendja ishte e keqe. Ai kërkoi lutje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ishte hera e fundit që dikush në Kenia dëgjoi prej tij.

Një numër në rritje afrikanësh po përfundojnë në vijat e frontit të luftës së Rusisë me Ukrainën. Disa shkojnë vullnetarisht si mercenarë, por shumë të tjerë janë si Kamau: të rinj të joshur nga premtimi për punë të zakonshme civile, nga roje sigurie deri te kuzhinierë, për t’u detyruar më pas të bashkohen me forcat ruse në betejë.

Një sërë kompanish të përkohshme janë ngritur në të gjithë kontinentin për të rekrutuar këta burra. Këto kompani shpesh paraqiten si agjenci udhëtimi ose zyra punësimi dhe reklamojnë në WhatsApp ose Telegram.

“The New York Times” intervistoi disa viktima dhe rekrutues. Intervistat sugjerojnë se rekrutuesit nuk punojnë drejtpërdrejt me ministrinë e Mbrojtjes në Moskë. Kontratat që gazeta pa ishin në rusisht, që do të thotë se afrikanët nuk mund t’i lexonin.

Punët formale në Afrikë janë të pakta, duke e bërë premtimin për punë jashtë vendit shumë tërheqës. Afrika gjithashtu ka popullsinë e re me rritjen më të shpejtë në botë. Shumë të rinj janë të papunë, duke e bërë kontinentin një objektiv të përshtatshëm për rekrutimin e rremë të ushtarëve pa dijeninë e tyre.

“Pse Rusia ma ka marrë djalin?”, vajtoi Hannah Wambui Kamau gjatë ceremonisë përkujtimore të Kamau, në një kodër me baltë jashtë Nairobisë në mars.

Kriza e punësimit

Nuk është e qartë se sa burra janë rekrutuar në mënyrë të rreme nga Afrika, megjithëse autoritetet në të paktën nëntë vende kanë raportuar raste të tilla. 

Në Kenia, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës zbuloi se rreth 1,000 kenianë kishin shkuar në Rusi dhe kishin përfunduar në Ukrainë deri tani. Vetëm 30 prej tyre janë kthyer gjallë. Për të frenuar numrin e të rinjve që bien pre e këtij rrjeti, qeveria tha se ka forcuar kontrollet për ata që largohen nga vendi me fluturime ndërkombëtare.

Okoiti Andrew Omtatah, një senator në Kenia, përdori një metaforë për të përshkruar dëshpërimin e shkaktuar nga kriza e punësimit në Afrikë. 

“Nëse një anije skllevërish do të ankorohej sot në Mombasa me një pankartë që thotë “kërkohen skllevër në Perëndim’”, tha ai, “nuk do të kishte vend në atë anije.”

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey V. Lavrov, pranoi në mars se të huaj po marrin pjesë në atë që Moska e quan operacion ushtarak special në Ukrainë, por tha se qeveria nuk punëson apo rekruton njerëz kundër vullnetit të tyre. 

“Vullnetarët shkojnë atje në përputhje të plotë me legjislacionin rus”, tha ai në një konferencë shtypi në Moskë.

I pyetur nëse ndonjë afrikan kishte shkuar në Rusi me premtimin për punë civile dhe kishte përfunduar në shërbim ushtarak, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, i tha gazetës javën e kaluar përmes shërbimit të tij të shtypit: “Nuk kemi dijeni për raste të tilla.”

Ambasadori i Ukrainës në Afrikën e Jugut, Olexander Scherba, akuzoi Rusinë se po përfiton nga të rinjtë afrikanë që kërkojnë punë. 

“Jam i habitur se sa dinakë dhe çnjerëzorë mund të jenë njerëzit ndaj afrikanëve që thjesht kanë nevojë për para”, tha Scherba.

Kenia, Tanzania, Zambia, Afrika e Jugut, Nigeria, Gana, Togo, Botsvana dhe Mali kanë raportuar raste të burrave të rekrutuar në mënyrë të rreme në ushtrinë ruse.

Prokurorët në Kenia akuzuan një burrë në shkurt për rekrutimin e 22 kenianëve për në Rusi. Po atë muaj, presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, foli në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin për çështjen e rekrutimit të afrikanëve të jugut. Një javë më vonë, 17 prej tyre u kthyen në shtëpi nga fronti. Prokurorët po hetojnë përfshirjen e një politikani në mashtrimin e tyre.

Rrëfimi i një të rekrutuari

Vincent Odhiambo Awiti tha se ishte rekrutuar vitin e kaluar nga një agjent që e takoi në rrugë në qendër të Nairobisë. Ai i premtoi një punë në një dyqan në Rusi dhe pagoi për udhëtimin e tij dhe të katër burrave të tjerë drejt Shën Petersburgut më 14 korrik, tha ai.

“E pranuam idenë sepse nuk kisha asgjë tjetër për të bërë”, tha ai. “Menduam se ishte një mundësi e shkëlqyer”.

Awiti tha se, pasi mbërritën, iu kërkua të nënshkruanin një kontratë për t’u bashkuar me ushtrinë ruse. Në fillim refuzuan, por më pas u thanë se mënyra e vetme për t’u kthyer në Kenia ishte të paguanin shpenzimet e udhëtimit. Asnjëri nuk kishte para, kështu që të gjithë nënshkruan kontratën.
Grupi u dërgua me tren për katër ditë trajnim ushtarak në një kamp pranë qytetit Shebekino, afër vijës së frontit në jug të Belgorodit në Rusi. Atje, sipas tij, takoi një rekrut egjiptian që i tha se ai dhe të tjerët ishin “njerëz të vdekur që ecin”.

Awiti tha se u dërgua në betejë pranë qytetit Vovçansk në rajonin e Kharkivit në Ukrainë, ku pati luftime të ashpra verën e kaluar. Skuadra e tij u urdhërua të kalonte dy lumenj të vegjël dhe një zonë të hapur për të arritur në një hendek. Komandanti i skuadrës u vra para se të arrinin te lumi i parë, tha ai.

“Koka iu nda nga trupi”, kujton Awiti. “Ata e quajnë zonën e vdekjes”.

Kur arriti te lumi i dytë, ai tha se ishte pothuajse vetëm. 

“Trupa të pavarrosur mbulonin fushëbetejën dhe të vdekurit notonin në lumë”, tha ai.
Kur arriti në hendek, era e vdekjes ishte e padurueshme. Ushtarët rusë që ishin strehuar aty e rrahën sepse kishte lënë armën në një nga lumenjtë. I dhanë një armë tjetër dhe për 20 ditë ai u detyrua të qëllonte “drejt një armiku të padukshëm”. Ai u tregoi gazetarëve fotografi të asaj që tha se ishin larva që kishin infektuar plagët e tij.

Awiti tha se u arratis me një dezertor rus që qëlloi veten në këmbë për t’u shpallur i paaftë për luftë. Ai tha se pa me tmerr teksa rusi mbylli sytë, shënjestroi pjesën e mishit të këmbës dhe tërhoqi këmbëzën dy herë.

Awiti deklaroi se u trajtua në Belgorod për plagë në dorë dhe ijë nga një sulm me dron dhe më pas u dërgua në një spital ushtarak në Moskë. Mjekët i thanë se do të rikthehej në front pasi të shërohej, por ai arriti të shkojë në ambasadën keniane dhe u kthye me avion në Nairobi.

Tani ai është pa punë, pa para, i plagosur dhe i traumatizuar rëndë. 

“Më mirë të jesh këtu. Këtu ke shumë liri”, tha ai. “Po luftoja për Rusinë. Mbaja uniformë ruse. Por lufta nuk ishte e imja”, shtoi.

Rrëfimi nga agjencia e udhëtimit

Hulumtimet tregojnë se të paktën 25,000 rusë vriteshin ose plagoseshin çdo muaj vitin e kaluar gjatë luftës. Vendi është përgjigjur duke rekrutuar të burgosur, duke ofruar stimuj financiarë dhe duke vendosur mobilizim të detyrueshëm, por me humbje kaq të mëdha, nevojiten ende më shumë njerëz.
Reklamat për shërbim ushtarak rus kanë përmbytur rrjetet sociale afrikane gjatë vitit të kaluar, duke premtuar paga mujore deri në 3,000 dollarë, pagesa të menjëhershme prej 18,000 dollarësh dhe madje shtetësi ruse pas gjashtë muajsh shërbimi. Ndërmjetësit që kërkojnë përfitime e kanë kthyer këtë në një mundësi biznesi.

St. Fortunes Travels and Logistics është një agjenci udhëtimi në pronësi të Fortune Chimene Amaewhule, një nigerian. Ai tha në një intervistë se vitin e kaluar filloi të merrte kërkesa nga klientë afrikanë që kërkonin ndihmë për të shkuar në Rusi, pasi kishin dëgjuar se mund të fitonin para duke u bashkuar me ushtrinë ruse.

Në tetor, ai publikoi një reklamë në Facebook: “Vende të lira për shoferë, kuzhinierë, punëtorë logjistike dhe pozicione të tjera për t’u bashkuar me ushtrinë ruse dhe për të marrë automatikisht shtetësi me shumë përfitime”.

Po atë muaj, ai publikoi një foto të dy personave duke thënë se ishin nigerianë që kishin marrë bonuse prej 30,000 dollarësh për t’u bashkuar me ushtrinë ruse. 

“Mos harroni, rekrutimi vazhdon ende,” thuhej në postim.

Ai tha se një mik nigerian në Rusi ndihmonte në organizimin e udhëtimeve për punëkërkuesit, por mohoi t’i kishte dërguar ata për trajnim ushtarak dhe nuk iu përgjigj pyetjeve për postimin me bonusin.
Zinxhiri i rekrutimit nga Afrika në Rusi shpesh mbështetet në lidhje personale si kjo.
Një grua nga Tanzania, e identifikuar si Nyariëa për arsye sigurie, tha se kishte lidhur një mik nga Malavi me një rus që kishte njohur në internet. Më pas ajo filloi të lidhej me rekrutues në Rusi dhe paguhej nga 150 deri në 1,000 dollarë për çdo person.

Qeveria e Kamerunit tha në prill se 16 qytetarë të saj kishin vdekur në Ukrainë, ndërsa Gana raportoi në shkurt se rreth 55 qytetarë të saj ishin vrarë. Ministri i Jashtëm i Botsvanës tha në mars se rreth 16 qytetarë ishin shënjestruar nga rekrutues që premtonin punë sigurie dhe roje, ndërsa katër kishin shkuar në Rusi.

Njëri prej tyre ishte Kgosi Pelekekae, 25 vjeç. Ai vendosi të ndryshonte jetën dhe i shkroi një miku për punë. Miku i tha se kishte shumë mundësi në Rusi dhe madje i dërgoi foto në dëborë.

Së shpejti, Pelekekae po komunikonte në Telegram me një rus të quajtur Dmitri, i cili u prezantua si agjent udhëtimi dhe rekrutues, por nuk përmendi ushtrinë apo luftën.

Ai dërgoi dokumentet më 6 dhjetor dhe mori biletë për në Shën Petersburg. Kur mbërriti, u dërgua në një kamp trajnimi ku iu dha uniformë dhe u stërvit për përdorimin e armëve.

Kur refuzoi të nënshkruante kontrata në rusisht, ai tha se u rrah dhe u detyrua të firmoste. Gjatë kontrollit mjekësor, u zbulua se kishte probleme me zemrën.

Për këtë arsye nuk u dërgua në front. Ai tha se arriti të arratisej nga kampi dhe një diplomat nga Botsvana e ndihmoi të kthehej në shtëpi.