Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sot në Londër do t‘i takojë liderët e Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë për të diskutuar propozimin e fundit të paqes të hartuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), i cili synon t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Bisedimet disa-ditore mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre ukrainas përfunduan të shtunën pa një përparim të dukshëm. Zelensky i vlerësoi diskutimet si “konstruktive, megjithëse jo të lehta”, ka raportuar The Gruadrian.
Të dielën në mbrëmje, presidneti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Zelensky “ende nuk e ka lexuar propozimin”, duke pretenduar se “njerëzit e tij e pëlqejnë atë”.
Ndërkohë, kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, bëri të ditur se presidenti do të njoftohet të hënën mbi bisedimet e ekipit të tij me zyrtarët amerikanë dhe do të marrë të gjitha dokumentet përkatëse të planit të paqes.
SHBA-ja, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Trump për armëpushimin në Gazë, po përpiqet të shtyjë përpara një marrëveshje paqeje mes Kievit dhe Moskës. Sipas zyrtarëve amerikanë, negociatat ndodhen në fazën përfundimtare, megjithëse ka pak gjasa që Ukraina ose Rusia të pranojnë kornizën aktuale të hartuar nga ekipi negociator i Trumpit.
Presidenti amerikan në deklaratat e tij të fundit, ka theksuar se Rusia është pajtuar me marrëveshjen por se Zelensky jo.
“Rusia, besoj, është në rregull me marrëveshjen, por nuk jam i sigurt që Zelensky është. Njerëzit e tij e mbështesin, por ai nuk është ende gati”, ka theksuar ai.
Në Londër, Zelensky pritet të pritet nga kryeministri britanik, Keir Starmer, kancelari gjerman, Friedrich Merz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, për të diskutuar mbi ecurinë e negociatave.
Ndërkohë, ministrja e jashtme britanike, Yvette Cooper, do të udhëtojë të hënën drejt Uashingtonit për t’u takuar me homologun e saj amerikan, Marco Rubio. “Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja do të riafirmojnë angazhimin e tyre për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme britanike.
Plani fillestar i Washingtonit për të përfunduar pothuajse katër vjet luftë parashikonte që Ukraina të dorëzonte territore që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë në fushëbetejë, në këmbim të garancive të sigurisë që nuk përputhen me objektivin e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO. Procesi i bisedimeve ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi garancitë e sigurisë dhe statusin e territoreve të pushtuara nga Rusia.
Starmer ka theksuar vazhdimisht se Ukraina duhet të përcaktojë vetë të ardhmen e saj dhe se një forcë paqeruajtëse evropiane do të kishte një rol “vendimtar” në garantimin e sigurisë së vendit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka dhënë ende miratim publik për planin e Shtëpisë së Bardhë dhe javën e kaluar ka deklaruar se disa pjesë të propozimit të Trump janë të pazbatueshme. Emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner u takuan me Putinin në Kremlin javën e kaluar, por nuk arritën një përparim të dukshëm.
Zelensky thotë se çështja e territorit dhe garancitë e sigurisë s’janë zgjidhur ende
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se çështjet territoriale janë ndër ato që ende nuk janë zgjidhur në bisedimet midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë mbi planin e paqes të administratës Trump.
Duke folur të hënën para mbërritjes së tij Londër për takim me liderët kryesorë evropianë, Zelensky ka thënë për Bloomberg Neës se elementët e planit amerikan kërkonin diskutime të mëtejshme, duke përfshirë "çështje të ndjeshme" siç janë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe kontrolli mbi rajonet e saj lindore.
Komentet e tij pasuan një pretendim të presidentit Donald Trump të bërë të dielën se ai ishte "pak i zhgënjyer që presidenti Zelensky nuk e ka lexuar ende propozimin”.
Mirëpo Zelensky ka deklaruar se bisedimet me SHBA-në ende nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje mbi të ardhmen e Donbasit të Ukrainës, që përfshin rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.
"Ekzistojnë vizione për SHBA-në, Rusinë dhe Ukrainën - dhe ne nuk kemi një pikëpamje të unifikuar për Donbasin", ka thënë ai.
Ai ka shtuar se Kievi gjithashtu dëshiron një marrëveshje të veçantë mbi garancitë e sigurisë nga aleatët perëndimorë, mbi të gjitha SHBA-ja.
“Ekziston një pyetje për të cilën unë dhe të gjithë ukrainasit duam të marrim një përgjigje: nëse Rusia fillon përsëri një luftë, çfarë do të bëjnë partnerët tanë”, ka thënë Zelensky.
“Ka pyetje që shqetësojnë Evropën dhe ne nuk mund të vendosim për Evropën. Ne duhet të diskutojmë me Evropën anëtarësimin e Ukrainës në BE, i cili është gjithashtu pjesë e garancive të sigurisë”, ka shtuar udhëheqësi ukrainas.
Zelensky ka thënë po ashtu se është gati të udhëtojë për në SHBA “nëse presidenti është gati për një takim të tillë”.
Merzi skeptik për detajet e planit të paqes e Macroni thotë se “i kanë letrat në duar”
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka pritur të hënën në Londër për një takim, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për bisedime lidhur me planin për fundin e luftës në Ukrainë.
Duke folur shkurt në fillim të takimit, Zelensky ka falënderuar Starmerin për takimin teka ka shtuar se “ka gjëra që nuk mund t'i menaxhojmë pa amerikanët, ... nuk mund t'i menaxhojmë pa Evropën”.
Ndërkohë Macroni ka thënë se “kemi shumë letra në duar", ndërsa ka folur për opsionet për Evropën dhe ekonominë gjithnjë e më të vuajtur të Rusisë.
Presidenti francez ka folur po ashtu për nevojën për të gjetur një mënyrë për t'i afruar Evropën dhe SHBA-në për të rënë dakord për rrugën përpara.
E Merzi ka deklaruar se “këto mund të jenë ditë vendimtare për të gjithë Evropën”.
Megjithatë, kancelari gjerman është shprehur se është "skeptik" për "disa nga detajet që vijnë në dokumentet nga pala amerikane" dhe thotë se për këtë dëshiron të flasë me udhëheqës të tjerë.
Pas deklarimeve të para, të katër liderët tani janë duke zhvilluar bisedime me dyer të mbyllura.
Javëve të fundit janë zhvilluar bisedime intensive SHBA-Rusi dhe SHBA-Ukrainë, në përpjekje të administratës Trump për t’i dhënë fund luftës së nisur më 2022.
Starmer: Marrëveshja e paqes për Ukrainën duhet të përmbajë garanci të forta sigurie
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë se duhet të ketë "garanci të forta sigurie" në një marrëveshje paqeje për Ukrainën.
"Nëse do të ketë një armëpushim, ai duhet të jetë i drejtë - sepse Ukraina ka pësuar humbje të rënda dhe ka paguar një çmim të lartë për një luftë që nuk është shkaktuar prej tyre", ka thënë Starmer për Associated Press të hënën.
Sipas tij, garancitë e forta të sigurisë nevojiten në mënyrë që presidenti rus, Vladimir Putin të respektojë çdo marrëveshje.
Starmer gjithashtu ka vlerësuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Ai ka thënë se Trumpi ka përparuar negociatat e paqes në vetëm pak javë.
Bisedimet e paqes janë të ndërlikuara, thotë ai, "por unë mendoj se po bëjmë përparim".
Starmer do ta presë të hënën në Londer presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ata do të takohen edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Friedrich Merz.