Byroja Hetuese e Aviacionit në Indi ka lëshuar një raport preliminar për fluturimin e “AirIndias” që u përplas në qershor.
Aeroplani drejt Londrës mezi kishte dalë nga pista e aeroportit të Ahmedabadit, para se të rrëzohej përsëri në tokë. Vdiqën 260 persona e shpëtoi vetëm një.
Raporti preliminar u kushton vëmendje veprimeve të pilotëve. Dy çelësat e kontrollit të karburantit – që përdoren për të fikur motorët – ishin ulur në pozicionin i cili ndalonte rrjedhjen e karburantit dhe si pasojë motorët fiken. Kjo kryesisht ndodh kur avioni përfundon fluturimin ose kur ka ndonjë ndalje emergjente në raste defekti.
Sipas incizimeve, një nga pilotët dëgjohet ta ketë pyetur tjetrin se “përse e ke ndalur”. Tjetri, sipas raportit, i përgjigjet duke i thënë se nuk e ka bërë këtë.
Nuk është specifikuar se zëri i cilit ka qenë ai që ka pyetur tjetrin. Në kohën kur fluturimi u nis, bashkëpiloti po drejtonte aeroplanin, e kapiteni po monitoronte.