Botë

Vriten pesë ushtarë izraelitë e mbi 50 palestinezë në Gazë

Gaza

Foto: Associated Press

Pesë ushtarë izraelitë janë vrarë në një sulm në veri të Gazës, ka bërë të ditur ushtria izraelite të martën, ndërsa zyrtarët e shëndetësisë në territorin palestinez kanë njoftuar se 51 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e sulmeve izraelite.

Gjakderdhja ka ndodhur teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu po vizitonte Shtëpinë e Bardhë për bisedime me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me një plan armëpushimi për të ndaluar luftimet në Gazë. Ndonëse nuk ka njoftim për ndonjë përparim, ka shenja progresi drejt një marrëveshjeje.

Vdekja e ushtarëve mund të shtojë presionin mbi Netanyahun për të arritur një marrëveshje, pasi sondazhet në Izrael kanë treguar mbështetje të gjerë për përfundimin e luftës 21-mujore.

Një zyrtar i lartë izraelit i cili ka folur në kushte anonimiteti ka thënë se 80-90% e detajeve janë zgjidhur dhe një marrëveshje përfundimtare mund të jetë disa ditë larg. 

Ndërkohë, ushtarët janë vrarë afërsisht dy javë pasi Izraeli ka raportuar një nga ditët e tij më vdekjeprurëse në muaj në Gazë, kur shtatë ushtarë janë vrarë pasi një palestinez i kishte bashkëngjitur një bombë automjetit të tyre të blinduar.

Një zyrtar izraelit i sigurisë ka thënë se pajisje shpërthyese janë gjuajtur kundrejt pesë ushtarëve gjatë një operacioni në zonën Beit Hanoun në Gazën veriore të hënën vonë, një zonë ku Izraeli ka luftuar vazhdimisht kundër rigrupimit të militantëve.

Militantët gjithashtu kanë sulmuar forcat që po evakuonin ushtarët e plagosur, ka thënë zyrtari. 

Ushtria ka thënë se 14 ushtarë janë plagosur në sulm, dy prej tyre rëndë. Kjo e çon numrin e ushtarëve të vrarë në 888 që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, i cili ka shkaktuar luftën.