Botë

Vetëm një çështje ka mbetur për t’u negociuar për Ukrainën, thotë i dërguari i Trumpit

Steve Witkoff

Foto: Associated Press

I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, ka thënë të enjten se është bërë "shumë përparim" në bisedimet e paqes në Ukrainë dhe se negociatat kanë mbetur vetëm në një çështje të fundit.

Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime me Rusinë, dhe veçmas me Kievin dhe udhëheqësit evropianë, mbi drafte të ndryshme të një plani për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, por ende nuk është arritur asnjë marrëveshje pavarësisht premtimeve të përsëritura të Trumpit për ta arritur një të tillë.

"Nëse të dyja palët duan ta zgjidhin këtë, ne do ta zgjidhim”, ka thënë Ëitkoff para një audience në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

"Mendoj se kemi bërë shumë përparim", ka shtuar ai.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë një ditë më parë para forumit të Davosit se udhëheqësit e Rusisë dhe Ukrainës do të ishin "budallenj" nëse dështojnë të arrijnë një marrëveshje.

Witkoff ka njoftuar se do të shkonte në Moskë më vonë gjatë ditës. 

Ai ka folur në një paraqitje të improvizuar në një takim mëngjesi mbi të ardhmen e Ukrainës, me panelistë që përfshinin sekretarin e NATO-s, Mark Rutte, dhe presidentin finlandez, Alexander Stubb.

Rutte shprehu besim se Trumpi ishte i përkushtuar ndaj pavarësisë dhe sovranitetit të Ukrainës. 

"Nuk e kam vënë kurrë në dyshim këtë”, ka thënë Rutte.

"Ajo që na duhet është t'i mbajmë sytë te topi i Ukrainës. Le të mos e humbasim atë top", ka shtuar ai. 

Lexo përditësimet tjera
Vladimir Putin

Putini pret sot të dërguarit e Trumpit për të diskutuar për Ukrainën

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të diskutojë të enjten plan e mundshëm të paqes për Ukrainën...