Më shumë se 15 qytete franceze kanë vendosur ndalimin e lëvizjes gjatë natës për fëmijët dhe adoleshentët – një masë që do të qëndrojë në fuqi deri në shtator. Ky vendim, i konsideruar nga shumë si drastik, vjen pas rritjes së ndjeshme të dhunës urbane dhe vështirësive të autoriteteve për të garantuar rendin publik.
Në qytetin jugor të Beziersit, masa u ndërmor pasi disa efektivë policie ranë në një pritë të dhunshme. Ndërkohë, edhe Nimesi iu bashkua kufizimit pas një përplasjeje me armë zjarri të lidhur me trafikun e drogës, ku mbetën të plagosur gjashtë persona. Nisma po përqafohet gjithnjë e më shumë edhe nga bashki të vogla dhe të mesme në mbarë vendin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas rregullores, të miturit që kapen duke thyer ndalimin gjatë natës mund të përballen me gjoba deri në 150 euro, ndërsa prindërit e tyre do të thirren në komisariat.
Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur për efektivitetin e kësaj mase. Sindikata e policisë “Unité” e konsideron atë joefektive kundër trafikut të drogës.
“Të rinjtë që merren me krim qarkullojnë dhe qëllojnë me armë edhe në mes të ditës. Ora policore nuk i ndalon”, ka thënë Wissem Guesmi, përfaqësues i sindikatës.
Në Limoges, ku ndalimi është në fuqi prej disa ditësh, situata mbetet e tensionuar. Vetëm një natë më parë, rreth 100 persona të maskuar dhe të armatosur sfiduan policinë në trazira të dhunshme.
Megjithatë, ndalimi po përhapet edhe në bashki të drejtuara nga e majta. Në Saint-Ouen, në periferi të Parisit, kryebashkiaku socialist Karim Bouamrane vendosi kufizimin javën e kaluar.
“Prindërit më thonë: ‘Faleminderit, e mbështesim këtë vendim’. Ky është lehtësim për familjet e zonave të varfra që sot nuk kanë më mjete për të realizuar pritshmëritë e tyre edukative”, ka thënë ai.