Një zjarr i madh ka lënë të vdekur një burrë i cili ishte vetëm në shtëpi në provincën perëndimore të Izmirit në Turqi, pasi u përhap në një zonë banimi, ka bërë të ditur të enjten agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.
Rasti shënon viktimën e parë pas gati një jave zjarresh të shpërndara.
Burri, 81 vjeç, ka vdekur në lagjen Odemis ku zjarrfikësit luftuan me zjarret për të dytën ditë, teksa disa helikopterë dhe avionë hidhnin ujë në terrenin malor.
Autoritetet kanë mbyllur disa rrugë për në qytetin turistik të Çeşmesë në Egje për shkak të zjarrit, ka njoftuar Anadolu.
Transmetuesit kanë shfaqur pamje të flakëve nëpër pjesë të autostradës kryesore ndërsa mbërrinin cisternat e ujit.
Zjarret në të gjithë perëndimin e Turqisë kanë dëmtuar rreth 200 shtëpi teksa viktimave u është ofruar akomodim alternativ, ka thënë ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya.
Rreth 50,000 njerëz u evakuuan përkohësisht më parë gjatë javës për shkak të zjarreve, të cilat u nxitën nga temperaturat e larta, lagështia e ulët dhe erërat e forta. Disa janë vënë nën kontroll.
Zjarre të tjera shpërthyen gjithashtu të enjten në provincën jugore turistike të Antalias dhe pak jashtë Stambollit, qytetit më të madh të Turqisë, sipas Anadolu.