Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vance e quan “të brishtë” armëpushimin me Iranin

JD Vance

Foto: Associated Press

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili ndihmoi në orët e fundit të negociatave që rezultuan në një armëpushim me Iranin, e ka quajtur marrëveshjen një "armëpushim të brishtë" që i kishte mësuar shumë për sistemin iranian.

Duke folur nga Budapesti ku po qëndron nga e marta për të mbështetur kryeministrin Viktor Orban për zgjedhjet e 12 prillit, Vance ka thënë se përgjigjja nga Irani kishte ndryshuar në varësi të grupit brenda qeverisë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka thënë se ministri i Jashtëm i ishte përgjigjur pozitivisht planit, por se të tjerët kishin "gënjyer" për atë që ishte arritur ushtarakisht nga Shtetet e Bashkuara dhe konturet e armëpushimit.

"Kjo është arsyeja pse them se ky është një armëpushim i brishtë", ka thënë ai. 

"Ka njerëz që qartësisht duan të vijnë në tryezën e negociatave dhe të punojnë me ne për të gjetur një marrëveshje të mirë dhe pastaj ka njerëz që gënjejnë edhe për armëpushimin e brishtë që kemi arritur tashmë”, ka thënë Vance.

"Nëse iranianët janë të gatshëm me mirëbesim të punojnë me ne, mendoj se mund të bëjmë një marrëveshje", ka vazhduar Vance. “Nëse do të gënjejnë, nëse do të mashtrojnë, nëse do të përpiqen të parandalojnë që të ndodhë edhe armëpushimi i brishtë që kemi vendosur, atëherë nuk do të jenë të lumtur”. 

Ai ka thënë po ashtu se presidenti Donald Trump i kishte kërkuar ekipit të tij të ndalonte përdorimin e disa mjeteve ushtarake, diplomatike dhe ekonomike për të ushtruar presion mbi Iranin për momentin.

Por ka shtuar se këto mundësi mbeteshin në tryezë nëse Irani nuk arrin të negociojë pozitivisht drejt një përfundimi të përhershëm të luftës.

“Ai na ka thënë të ulemi në tryezën e negociatave”, ka thënë Vance për Trumpin. “Por nëse iranianët nuk bëjnë të njëjtën gjë, do të zbulojnë se presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk është nga ata me të cilët duhet të ngatërrohen. Ai nuk ka durim. Ai nuk ka durim për të bërë përparim”, ka thënë Vance. 

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

SHBA-ja dhe Irani pajtohen për armëpushim dyjavor dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit

Presidenti amerikan,  Donald Trump, ka njoftuar në orët e para të së mërkurës me kohën e...