Botë

Ukraina rrëzoi 7 nga 14 raketat dhe të gjithë dronët rusë gjatë sulmeve të natës

ukraina

Ushtria ukrainase ka njoftuar të premten se forcat e saj rrëzuan shtatë nga 14 raketat dhe të 17 dronët e lëshuar nga Rusia në sulmet e natës në perëndim të vendit.

Forcat ruse shënjestruan infrastrukturën kritike dhe objektet ushtarake gjatë  sulmit,  ka bërë të ditur zëdhënësi i forcave ajrore ukrainase,  Illia Yevlash në televizionin kombëtar.

Ushtria ukrainase shkatërroi 11 objektiva ajrore mbi rajonin perëndimor të Khmelnytskyit, sipas guvernatorit. Një sulm shkaktoi zjarr në infrastrukturë, por nuk u raportua për viktima, raporton Reuters. 

Mbrojtja ajrore rrëzoi shtatë nga 10 raketat Kh-101/Kh-555,  njoftoi ushtria ukrainase.

Rusia ka lëshuar gjithashtu tri raketa balistike Iskander-M, që synonin rajonin e Zaporizhzhias, dhe një raketë balistike të lëshuar nga ajri Kinzhal në sulmin e saj, sipas Yevlashit.

Guvernatori i Zaporizhzhias  ka theksuar  se një raketë goditi një zonë të hapur, pa dëme e as viktima të raportuara.

Forcat ajrore shkatërruan gjithashtu pesë dronë mbi rajonin e Dnipropetrovskut, tha guvernatori i saj, pa dëme apo viktima.

Sulmet ajrore ruse këtë pranverë shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturën kritike të Ukrainës.