Kastrati thotë se ndërprerjet e energjisë elektrike, po cenojnë jetën e përditshme të qytetarëve atje, përfshirë funksionimin e shkollave, qendrave shëndetësore e shërbimet komunale.
“Këto ndërprerje, sidomos në këtë periudhë (temperatura të ulëta, në prag të festave të fundvitit dhe prezencës së mërgatës sonë), po cenojnë jetën e përditshme të qytetarëve, funksionimin normal të shkollave, qendrave shëndetësore, shërbimeve komunale dhe po krijojnë pasoja ekonomike për bizneset. I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të trajtojë me prioritet situatën energjetike në Komunën e Malishevës dhe të ndërmarrë masa konkrete për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët e komunës së Malishevës. Po ashtu, edhe nga KEDS dhe KESCO kërkojmë që të ofrojnë sqarime të qarta për arsyet e këtyre ndërprerjeve, si dhe të sigurojnë intervenime urgjente teknike për evitimin e mungesës së energjisë elektrike në komunën tonë!”, thuhet në reagimin e kryetarit Kastrati.
Tutje Kastrati ka thënë se furnizimi me energji elektrike duhet të garantohet pa përjashtime si shërbim bazik dhe e drejtë themelore.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT), Shaban Neziri në një konferencë për media të mërkurën, deklaroi se reduktimet e rrymës që janë zbatuar ditët e fundit në qytete të ndryshme janë instrument sigurie për të garantuar stabilitetin e sistemit elektro-energjetik në Kosovë.