Udhëheqësit më të lartë të kishave në Jerusalem hynë të premten në Gazë në një vizitë të rrallë solidariteti, një ditë pasi një predhë izraelite goditi kishën e vetme katolike atje, duke vrarë tre persona.
Patriarku Latin i Jerusalemit, Pierbattista Pizzaballa dhe Patriarku Ortodoks Grek Theophilos III hynë në Gaza në mëngjes, sipas një deklarate të lëshuar nga Patriarkana Latine e Jerusalemit, raporton AP.
Delegacioni arriti pasdite në Kishën Katolike të Familjes së Shenjtë në Gaza. Përveç tre personave të vrarë nga sulmi, dhjetë të tjerë u plagosën, përfshirë edhe priftin që jeton aty. Edhe kisha u dëmtua.
Delegacioni gjithashtu po planifikon të dërgojë qindra ton ndihma ushqimore, pajisje mjekësore dhe furnizime për familjet brenda Gazës, thuhet në deklaratë. Ata thanë gjithashtu se kanë siguruar edhe evakuimin e të plagosurve për trajtim jashtë Gazës.
Sulmi është dënuar nga shumë udhëheqës botërorë dhe figura fetare. Papa Leoni XIV të enjten përsëriti thirrjen për armëpushim të menjëhershëm pas sulmit, dhe presidenti Donald Trump telefonoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për t’i shprehur pakënaqësinë e tij.
Izraeli të enjten shprehu keqardhje për atë që e quajti një aksident dhe tha se po e heton çështjen.
Vizita e liderëve fetarë të premten ishte një hyrje shumë e rrallë në territor nga një delegacion i jashtëm. Me përjashtim të disa punonjësve të ndihmës dhe disa palestinezëve që kanë nevojë për trajtim mjekësor jashtë, shumë pak persona kanë mundur të hyjnë apo të dalin nga Gaza që nga fillimi i ofensivës së fundit të Izraelit në maj.
